Dumani zbulon autorin e vrasjes së shefit të policisë Dritan Lamaj (EMRI)

Këtë të enjte, në Gjykatën e Posaçme po zhvillohet seanca e radhës e ‘Plumbit të Artë’, ku janë zbardhur detaje nga dëshmia e të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani.

I penduari ka rrëfyer për njohjen me Henrik Hoxhajn, dhe se ky i fundit është autori i vrasjes së kryekomisar, Dritan Lamaj.

Pjesë nga dëshmia:

Avokatja e Altin Ndocit, Elda Zotaj: Si je njohur me Henrik Hoxhajn?

Dumani: Jam takuar në 30 dhjetor 19, por më kishte folur Festim Qoli për të. Më ka folur kur kam dalë nga burgu herën e parë, kur isha për dy makina të vjedhura. Pata një debat me një shef policie tek komisariati nr 6. Më qëlloi disa herë kur u arrestova. Por kur dola, mora vesh që e kishin vrarë. Mu bë qejfi për këtë. I thashë do ju jap një drekë atyre çunave. Më tha Festimi, do ja japësh se vëllai jonë është. E kishte fjalën për Henrik Hoxhajn.
Avokatja: Ku e takove Herikun?

Dumani: Njëherë e kam takuar në ditëlindjen e Festim Qolit. Atje vetëm jemi përshëndetur. Herën e dytë e takova tek hotel “Diplomat”. Kemi bërë muhabete me Festën dhe Henrikun. Diskutuam për atentatet që do bënin.

Avokatja: Sa qëndruat aty?

Dumani: E morëm Henrikun në bllok dhe shkuam tek “Diplomati”. Pastaj shkuam tek një dyqan afër “Taivanit” ku blemë një telefon të enkriptuar. Në plan kishim vrasjen e Dorian Shkozës.

Avokatja: Ti çfarë pseudonimi mbaje Në “Sky” për kohën?

Dumani: Covid19.

Avokatja: I the Henrikut kë do vrisnit?

Dumani: Jo, i thashë vetëm që për ketë do marrësh 35 mijë euro.

Avokatja: Kush u përshi tjetër në këtë vrasje.

Dumani: Klevis Alla, Asllan Plaku dhe unë. Klevisi ishte informator. Ditën e ngjarjes, ishte Covid, Klevisi erdhi tek shtëpia ime.

Avokatja: Çfarë bëri atë ditë?

Dumani: Klevisi do sillte makinë dhe pastaj do ikte me makinën e Henrikut. Do ta vrisnim një natë më herët, por na u prish makina.

Avokatja: I keni treguar Klevis Allës për motivin e vrasjes së Dorian Shkozës?

Dumani: Nuk më kujtohet.

Avokatja: A ke pasur konflikt personal me Dorian Shkozën?

Dumani: Jo, nuk kam pasur.

Avokatja: Po konflikt fizik?

Dumani: Asnjëherë.

Avokatja: Kur vendose ta vrisje?

Dumani: Kur kam fol me Erion Alibeajn.

Avokatja: A kishe qëllim të vrisje Anxhelo Avdinë?

Dumani: Asnjëherë.


Shtuar 20.03.2025 12:44