Këtë të premte, kryetari i PD, Sali Berisha, u ka uruar shqiptarëve nga Elbasani, Ditën e Verës, ndërsa u ka bërë thirrje që më 11 maj të ndahen nga regjimi që i varfëroi ata deri në palcë.
Berisha tha se u premton qytetarëve se në 3 muajt e parë të qeverisjes, do të zbatohet “Paketa e Dhembshurisë”, që ka në thelb, minimumin jetik 200 euro, pensione jo më pak se 200 euro.
“Ju uroj nga zemra këtë festë, më të lashtën dhe më të bukur, festën e ndërrimit të natyrës, festën e shpresës.
Dita e verës e gjen Elbasanin, i gjen shqiptarët më optimist dhe më besimplotë se kurrë në ndryshimin e madh të 11 majit.
Kjo ditë frymëzon cdo shqiptar që më 11 maj të ndahet ngfa ky regjim që i varfëroi ata deri në palcë. Unë sot nga Elbasani u premtoj shqiptarëve se tre muajt e parë, ajo që e kemi quajtur paketë e dhembshurisë do të nxjerrë cdo shqiptar nga varfëria ekstreme.
Do të kenë një minimum jetik prej 200 euro. Nuk do ketë pensionist që do marrë nën 200 euro, pavarësisht sa e ka sot pensionin, pavarësisht nëse ka apo jo pension, pavarësisht nëse e ka të plotë apo të pjesshëm. Do ketë një rritje 20% të pensioneve, do ketë rrogë minimale jo më pak se 500 euro, do këtë rrogë mesatare 1200 euro.
Nuk do ndalim vrapin derisa të bëhemi njerëzit më të paguar në rajon”, tha Berisha.