Presidenti Begaj takim me homologun e Azerbajxhanit Ilham Aliyev, çfarë u diskutua

Këtë të enjte, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, zhvilloi një takim me Presidentin e Azerbajxhanit, llham Aliyev.

Ky takim, u përqendrua në forcimin e marrëdhënieve intensive dypalëshe në vazhdën e shkëmbimit të vizitave të mëparshme zyrtare.

Kreu i Shtetit, vlerësoi si shumë të mirë bashkëpunimin politik midis dy vendeve, si dhe forcimin e marrëdhënieve ekonomike.

Energjia dhe turizmi mbeten prioritetet kryesore në këtë bashkëpunim, për të cilin Presidenti Begaj shprehu interesin e Shqipërisë për të avancuar me nismat që sjellin përfitime të prekshme për ekonomitë e dy vendeve.

Gjithashtu, u theksua se hapja e ambasadave respektive në Tiranë dhe Baku i shërben këtij qëllimi.

Shqipëria, theksoi Presidenti Begaj, vlerëson mbështetjen e vazhdueshme të Azerbajxhanit për projektet lokale që lidhen drejtpërdrejt me gazsjellësin TAP.

 


Shtuar 13.03.2025 12:14