Përfundon afati për regjistrimin e diasporës/ Si janë numrat

Procesi i regjistrimit të emigrantëve për të votuar në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, përfundoi me hyrjen e datës 5 mars.

Sipas të dhënave zyrtare, numri i kërkesave të aprovuara është 231 674. Por, ky nuk është numri final pasi janë edhe 20 465 kërkesa të tjera të pashqyrtuara nga KQZ, ç`ka praktikisht mund ta çojë numrin e votuesve nga jashtë në rreth 250 mijë.

Shtetet me më shumë shqiptarë janë Italia me rreth 86 400 zgjedhës, ndjekur nga Greqia me 62 470. Në vend të tretë sa i përket aplikimeve është Gjermania me rreth 24 400, më pas SHBA me 20 000 dhe Mbretëria e Bashkuar me 16 470.

Sipas parashikimeve të Kodit Zgjedhor, votat e diasporës do të përllogariten në zonat zgjedhore, ku figurojnë të regjistruar dhe qarku me numrin më të madh të kërkesave të aprovuara e ka Tirana me rreth 49 mijë, ndjekur nga Fieri me rreth 30 mijë e Durrësi me rreth 23 760. Qarku me numrin më të ulët e ka Kukësi me 3 750 votues të regjistruar.

Sipas afateve të Kodit Zgjedhor, KQZ brenda datës 9 mars duhet të publikojë listën finale të zgjedhësve, dhe në datën 12 dorëzohen kandidatët për deputetë.


Shtuar 5.03.2025 08:38