Këtë të mërkurë, në një deklaratë për mediat nga selia e PD-së, lideri demokrat Sali Berisha, ka akuzuar qeverinë e kryeministrit Edi Rama, për korrupsion dhe censurë, duke e cilësuar si një nga rastet më të rënda të abuzimit me fondet publike në nivel ndërkombëtar.
Berisha u shpreh se fondet e taksapaguesve amerikanë janë përdorur për pasurimin e elitave të korruptuara, duke përfshirë edhe bashkëshorten aktuale të Edi Ramës, Linda Rama, si dhe ish-bashkëshorten e tij, Delina Fico.
Berisha akuzoi Linda Ramën për përfitime të shumta financiare nga projekte me fondacionin “Shqipëria e Hapur”, UNDP dhe organizata të tjera, duke theksuar se ajo ka marrë shuma të mëdha parash për raporte mbi qeverinë e burrit të saj, në kundërshtim me ligjet e antikorrupsionit.
Nga ana tjetër, ai e cilësoi Delina Ficon, aktualisht partneren e ministrit Bledi Çuçi, si përfituese të 10 milionë eurove nga USAID, duke pretenduar se ajo ka ndikuar në kapjen e sistemit të drejtësisë dhe ka marrë një rrogë dy herë më të madhe se ajo e ambasadorit amerikan në Shqipëri.
Sipas Berishës, ky është një skandal i paprecedentë që tregon “makutërinë e enturazhit të Edi Ramës” dhe mungesën e transparencës në menaxhimin e fondeve publike.
Deklarata e plotë:
“Narkoqeveria e Edi Ramës ka vendosur censurën më të plotë, po mbulon me terrin më të zi një nga skandalet më të mëdha ndërkombëtare të rrethit të tij familjar, siç është abuzimi me miliona e miliona euro dhe dollarë të taksapaguesve amerikanë nga ish-bashkëshortja e Edi Ramës dhe bashkëshortja e tij aktuale.
Auditet e para në SHBA faktojnë se paratë e taksapaguesve amerikanë u përdorën për të pasuruar elitat e korruptuara të ekstremit të majtë në vendet e tjera të botës.
Në rast se ka një rast më klasik të abuzimit ekstrem me paratë e taksapaguesve të SHBA, në Shqipëri në krye të listës qëndrojnë dy zonja, Linda Rama, bashkëshortja aktuale e kryeministrit, e cila në dhjetëra e dhjetëra projekte të saj, me fondacionin Shqipëria e Hapur, me UNDP-në dhe të tjera, ka përfituar shuma marramendëse në kundërshtime flagrante me ligjet themelore të antikorrupsionit.
Ajo përbën një rast unik në planet, kur bashkëshortja e kryeministrit, paguhet me paratë e taksapaguesve të vendeve të tjera dhe kryesisht të SHBA për të bërë raporte për veprimtarinë e qeverisë së burrit të vet.
Ky është një rast kulmor flagrance që fakton se gjer ku arrin makutëria e enturazhit të Edi Ramës dhe se për pasurimin e tij familjar, Edi Rama nuk respekton asnjë ligj, asnjë parim kombëtar as ndërkombëtar.
Edi Rama ishte i detyruar të përjashtonte bashkëshorten e tij nga çdo lloj studimi që lidhej me qeverinë e tij.
Por është bërë e kundërta, jam unë që kohë më parë kam denoncuar faktin e vizitave, e shoqëruar nga ministra, dhe i kam denoncuar me emër dhe mbiemër, ku Linda Rama debatonte dhe gjente tema për projektet e studimit të saj në agjencitë dhe zyrat e qeverisë.
Pra, përdoreshin ato.
Aktivitet absolutisht flagrant i shpërdorimit të detyrës dhe shpërdorimit të fondeve”, shprehet Berisha.