Plani ekonomik i PD-së, Teliti: Ja 5 shtyllat për të ndryshuar Shqipërinë

Koordinator i programit ekonomik i Partisë Demokratike, Dorian Teliti, prezantoi 5 shtyllat kryesore të modelit ekonomik të PD-së.

Ekonomi që prodhon dhe krijon vende pune, sistem fiskal të drejtë dhe taksa të ulëta, barazi ekonomike dhe zhdukja e varfërisë ekstreme, tërheqja e investimeve dhe kthimi i shqiptarëve në atdhe dhe qeverisje e vogël, efikase dhe transparente, ishin 5 shtyllat që PD ka në programin e saj të qeverisjes 2025-2029.

Teliti theksoi rëndësinë e një sistemi fiskal të drejtë dhe të qëndrueshëm, si dhe garantoi rritjen e pensioneve dhe mbështetje për familjet me të ardhura të ulta.

Me Sali Berishën Kryeministër dhe Partinë Demokratike në qeverisje, qytetari, familja dhe sipërmarrja do të kenë vendin që u takon, në qendër të modelit dhe politikave tona ekonomike e sociale.

Modeli ynë ekonomik do të bazohet dhe ndërtohet mbi 5 shtylla të forta:

Një ekonomi që prodhon dhe krijon vende pune.

Një sistem fiskal të drejtë dhe taksa të ulëta.

Një shtet që garanton barazi ekonomike dhe zhduk varfërinë ekstreme.

Një Shqipëri që tërheq investime dhe kthen shqiptarët në atdhe.

Një qeveri të vogël, por efikase dhe transparente.

Prej 12 vitesh, Shqipëria prodhon gjithnjë e më pak. PS-ja në qeverisje ka ndërtuar një ekonomi të bazuar në importe dhe ndërtim, duke shkatërruar sektorët strategjikë si industria dhe bujqësia. Ky model aktual nuk krijon as vende pune të qëndrueshme dhe as zhvillim të vërtetë.

Pyetja është: Si do ta ndryshojmë këtë situatë?

Fillimisht do t’i heqim nga gryka e sipërmarrjes dhe konsumatorëve zinxhirët e rëndë të një politike dhe administrate të korruptuar, duke çliruar të gjitha energjitë pozitive që vijnë nga konkurrenca e lirë, reale dhe e ndershme midis operatorëve ekonomikë.

Gjithashtu, me një paketë lehtësirash fiskale dhe proceduriale për sipërmarrjet prodhuese dhe për ato që krijojnë gjithnjë e më shumë vende pune, me skema konkrete mbështetjeje të financuara apo bashkefinancuara me Bankën Zhvillimore Kombëtare që do të financojnë startup-et, sipërmarrësit e rinj dhe projektet strategjike në prodhim, industri, bujqësi dhe energji, mund të ndalim rrokullisjen e rrënimit ekonomik dhe të kthejmë prodhimin në epiqendër.

Ekonomia shqiptare nuk mund të mbijetojë vetëm me turizëm dhe remitanca. Ajo duhet të mbështetet në sektorë që krijojnë vende pune të qëndrueshme dhe të paguara mirë.

Sot, shteti shqiptar nuk është mik i sipërmarrjes, por një armik i saj”, tha Teliti.


Shtuar 16.02.2025 14:08