Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar sqaroi sot gjendjen gjyqësore të kryetarit të bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, ku në dosjen e SPAK ishte shkruar i “dënuar”.
Nëpërmjet një njoftimi për mediet, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar sqaron se në kërkesën për “caktimin e masës shtrënguese të sigurimit personal”, drejtuar Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për shtetasin nën hetim E.V, Prokuroria e Posaçme nuk i është referuar për asnjë moment gjendjes së tij gjyqësore.
“Si pjesë e akteve të depozituara pranë Gjykatës së Posaçme është edhe një certifikatë elektronike e gjendjes gjyqësore me nr. prot. 5488 datë 23.01.2025, e gjeneruar nga sistemi i Drejtorisë së Përgjithshëm të Burgjeve, ku organi procedues ka akses. Kjo certifikatë, në brendësi të saj përmban informacionin se shtetasi E.V, i biri i L. dhe Sh. lindur më 17.12.1979 në Tiranë, rezulton “I dënuar””, njofton SPAK.
Sipas SPAK në “lidhje me këtë certifikatë, Prokuroria e Posaçme i ka kërkuar informacion Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve në lidhje me veprat penale si edhe vendimet gjyqësore, të cilat lidhen me certifikatën elektronike që është gjeneruar”.
“Me shkresën nr. 2215/1 datë 12.02.2025, Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Gjyqësore ka sqaruar mes të tjerave se: …çdo herë kur printohet Vërtetimi i Gjendjes Gjyqësore me shënime, del dhe statusi i dënuar si në këtë rast. Shtetasi E. L. V. ka 3 vendime pafajësie”, njoftoi SPAK.
SPAK nënvizon se “në çdo rast, as në kërkesën e Prokurorisë së Posaçme drejtuar Gjykatës se Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, por as nga kjo e fundit, nuk është përdorur si rrethanë gjendja gjyqësore e shtetasit nën hetim E.V, për të caktuar ndaj këtij të fundit, masën shtrënguese të parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale”.