Dridhej në klasë, mësuesit japin detaje nga vdekja tragjike e 12 vjeçares në Sukth

Një ngjarje tepër e rëndë ka tronditur ditën e sotme Sukthin, ku një vajzë 12-vjeçare ka ndërruar jetë në mënyrë tragjike pasi pësoi një hemorragji cerebrale.

Burime për mediat bëjnë me dije se e mitura ishte në shkollë si çdo ditë, kur papritur gjatë orës së dytë të mësimit shfaqi dridhje të forta, të ngjashme me ato të krizave epileptike. Menjëherë, mësuesit e dërguan në Qendrën Shëndetësore të Sukthit për ndihmën e parë, ndërsa edhe prindërit u njoftuan për situatën.

Mirëpo, gjendja e saj u përkeqësua shumë dhe u transportua në Spitalin e Durrësit, ku u bë stabilizimi fillestar. Megjithatë, mjekët konstatuan një hemorragji në tru pas ekzaminimit me skaner, gjë që në orët në vijim u rëndua më shumë. Pavarësisht përpjekjeve për ta shpëtuar, pas tre orësh e mitura ndërroi jetë në spital.

Sipas mjekëve, edhe pse ndërhyrja ishte e menjëhershme, hemorragjia cerebrale rezultoi fatale për 12 vjeçaren. Ngjarja ka tronditur jashtë mase familjen e saj, ndërsa pritet të bëhet ekspertiza mjeko-ligjore për të përcaktuar shkaqet e plota të vdekjes.


Shtuar 7.02.2025 22:20

Tags: ,