Një 16-vjeçare humbi jetën në qytetin anglez të Leeds pasi u godit me thikë nga një 18-vjeçare. Sipas hetimeve, sulmi dyshohet se erdhi pas një konflikti të lidhur me marrëdhënien romantike mes tyre.
Chloe Dransfield dyshohet se u godit pesë herë në shpinë dhe në qafë nga Kayla Smith. Në Gjykatën e Kurorës në Leeds u paraqitën pretendime se takimi ishte planifikuar paraprakisht dhe se në organizimin e tij mund të ketë marrë pjesë edhe Blake Dowling, 18 vjeç, i cili kishte qenë në lidhje me të dyja vajzat.
Të lidhura
None found
Prokurori Mark McKone tha se, para ngjarjes, vajzat kishin shkëmbyer mesazhe dhe kërcënime. Gjatë një bisede me FaceTime, Smith dyshohet se i kishte thënë Chloe-s: “Do të të ngul thikën në fyt”. Chloe, sipas prokurorisë, ishte përgjigjur se nuk kishte frikë prej saj.
Prokuroria pretendon se Dowling e çoi Smith-in te vendi ku ndodhej Chloe, ndonëse e dinte se mes tyre kishte armiqësi. Pak minuta para sulmit, 18-vjeçarja dyshohet se u kishte shkruar personave të afërt se do ta godiste me thikë rivalen e saj.
Kamerat e sigurisë e regjistruan Smith-in duke dalë nga banesa rreth orës 05:10 të mëngjesit. Ajo ishte me pizhame dhe mbante një send të shndritshëm, të cilin prokuroria e identifikon si thikë.
Në vendngjarje ndodhej edhe 20-vjeçari Archie Rycroft. Sipas akuzës, ai ndoqi Smith-in, u përpoq ta filmonte përballjen, e nxiti atë të përdorte dhunë dhe i qëndroi pranë gjatë konfliktit.
Pas sulmit, Smith dhe Rycroft u kthyen në banesën e saj. Në gjykatë u tha se, kur gjyshi i Smith-it përmendi se do të njoftonte policinë, ajo i tha se Chloe kishte vdekur. Ambulanca u thirr në orën 05:48, rreth 37 minuta pas goditjes me thikë.
Chloe u dërgua me urgjencë në spital, ku vdiq në orën 06:40.
Dowling akuzohet se ndihmoi në organizimin e përballjes duke e çuar Smith-in atje që ajo të ndeshej fizikisht me Chloe-n. Rycroft, nga ana e tij, akuzohet se e nxiti dhunën dhe u përpoq ta regjistronte me telefon.
Smith pranon se e goditi 16-vjeçaren me thikë dhe i shkaktoi plagën fatale, por mohon se synonte ta vriste ose t’i shkaktonte dëmtime të rënda. Ajo është deklaruar fajtore për vrasje të paqëllimshme, ndërsa mohon akuzën e vrasjes.








