Klevis Balliu: Inceneratori inekzistent fitime rekord për 2023, por Tirana e mbytur në plehra

Klevis Balliu: Ndërkohë që Tirana ka humbur, sepse paguan për incineratorin që nuk e ka, dhe sërish është e mbytur në plehra; ndërkohë që taksat tuaja rriten dhe ekonomitë familjare dobësohen, kompanitë e pushtetarëve dhe ato të lidhura me qeverinë dhe bashkinë pasurohen. Integrated Energy, kompania e famshme e incinertorit-fantazmë të Erion Veliajt në Tiranë, ka bërë bilancin e vitit 2023, ku deklaron se ka fituar plot 7.4 mil euro.

Këto kuota fitimi janë rekord, jo vetëm në Shqipëri, po në çdo vend. Ky fitim marramendës prej 47 përqind që thyen logjikën e biznesit vjen jo prej aftësisë menaxheriale, por prej lehtësirave të krijuara nga qeveria dhe bashkia. Vërteton atë që ne themi prej kohësh, se incineratori është skemë e Ramës dhe Veliajt, jo për të pastruar Tiranën, por për të pasuruar veten dhe shoqninë.

Si rrjedhojë e koncensionit të Ramës, bashkitë e vendit janë futur në kolaps pasi me mbylljen e pikës së depozitimit të Porto Romanos, mbetjet për një seri bashkish depozitohen në Sharrë, te landfilli ku duhej të ishte incineratori i Edi Ramës dhe Erion Veliajt. Sipas kontratës të Rama-Veliajt me mafien e inceneratorëre, kosto për depozitim, në incineratorin që nuk ekziston, është 29.05 euro për ton. Për këtë Bashkia Durrës paguan plot 2 milion euro në vit.

Ndërkohë që ju paguani çdo ditë e çdo muaj taksa të mbetjeve dhe incenerimit, Tirana dhe Shqipëria është e mbytur nga plehrat. Situata e rënduar e mjedisit, si rrjedhojë e mbetjeve të patrajtuara në Shqipëri u trajtua edhe nga Zëri i Amerikës. Por nuk duhet asnjë media, sado prestigjioze, për të vërtetuar atë që kapin çdo ditë kamerat e syve tuaj: koshat e stërmbushur e të derdhur në çdo rrugë e lagje të Tiranës.

Partia Demokratike e dënon sërish me forcë këtë vjedhje skandaloze që boshatis xhepat e qytetarëve për të mbushur llogaritë bankare të narko-pushtetarëve dhe mafies së inceneratorëve. Drejtësia e kapur bën sehir, ndërkohë që Tirana mbytet nga plehrat, në rrugë dhe në pushtet. Në mungesë të drejtësisë, është detyra e gjithsecilit të luftojmë të bashkuar për të shpëtuar vendin nga kthetrat e mafies se inceneratorëve. Në datën 8 shkurt, ora 17:00, te Kryeministria mblidhen të gjithë ata që nuk e pranojnë as tragjedinë e Onkologjikut, as mashtrimin me incineratorët dhe as verën kryeministrore prej 33 mijë eurosh.


Shtuar 3.02.2025 15:54