Vijojnë homazhet në Katedrale për Kryepeshkopin Anastas/ Nesër në Tiranë delegacion nga e gjithë bota e krishterë

Në Katedralen ‘Ngjallja e Krishtit’ në Tiranë, vijojnë homazhet për kryepeshkopin Anastas Janullatos, që u nda nga jeta mëngjesin e së shtunës në Athinë.

Gjatë gjithë natës kisha ka qëndruar hapur për homazhe, ku qindra besimtarë i japin lamtumirën e fundit kryepeshkopit Anastas.

E njëjta gjë do të vijojë edhe ditën e sotme, ndërsa ceremonia mortore do të mbahet nesër në orën 11:00, pas mbarimit të Liturgjisë Hyjnore.

Klerikët do të mbajnë meshë përshpirtjeje me turne e pa ndërprerje deri nesër, kur trupi i Kryepeshkopit do të vendoset për t’u prehur përjetësisht në një ambient të posaçëm brenda Kishës, një amanet i lënë prej tij.

Në ceremoninë mortore të 30 janarit, priten në kryeqytetin shqiptar të vijnë figurat më të larta të klerit në botë, dhe jo vetëm ato të Kishës Ortodokse.

Nga Vatikani pritet një delegacion i gjerë i drejtuar nga Sekretari i Shtetit, Pietro Parolin. Konfirmohet pjesëmarrja e Kryeministrit grek, Mitsotakis me një delegacion të gjerë nga Athina, përfshirë 5 ministra të kabinetit të tij qeveritar.

Është konfirmuar pjesëmarrja e Patriarkut të Kostandinopojës, Bartolomeu; Patriarkut të Izraelit Theofili i Jerusalemit; Kryepeshkopit të Greqisë Jeronimi; Patriarku i Qipros, i Aleksandrisë; i Bullgarisë, i Rumanisë etj.

Gjithashtu në ceremoni priten Kryepeshkopi dhe klerikë nga Polonia, Drejtues të “Saint Egidio” në Itali; delegacion nga Këshilli Botëror i Kishave (institucion që përfshin të gjitha kishat, katolike, protestante apo ortodokse), përfaqësues nga unioni ‘Fetë për Paqen’, një delegacion nga kishat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës etj.


Shtuar 29.01.2025 09:56