Ura e Mesit, një perlë e arkitekturës osmane, e ndërtuar në shekullin XVIII mbi lumin Kir, shkëlqen sërish pas restaurimit të fundit, duke theksuar mjeshtërinë e dikurshme dhe rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë kulturore.
Ky monument që lidh të shkuarën me të tashmen, mbetet një destinacion i veçantë për të gjithë vizitorët, duke tërhequr turistët vendas dhe të huaj që vizitojnë Shkodrën.
Artitektura e urës mbi lumin Kir, si dhe legjenda e ndërtimit të saj janë shumë intriguese sot e kësaj dite.
Ekziston një legjendë për Urën e Mesit, sipas të cilës, një tregtar turk hapi disa gropa për të shuar gëlqeren.
Për gati 20 vjet, fshatarët e pritën tregtarin për të ndërtuar urën. Më në fund ai erdhi, mblodhi banorët e filloi ndërtimin e urës. Gëlqerja, që kishte qëndruar për 20 vjet në gropa, kishte një fortësi të tillë sa i lidhi mjaft mirë gurët e urës.
Sipas legjendës, kjo urë është ndërtuar me gurë dhe gëlqere të shuar, pa çimento e hekur. Ura e Mesit gjendet 8 km larg qytetit të Shkodrës mbi lumin Kir. Ajo u ndërtua në vitin 1768 nga Mehmet Pashë Bushati dhe dikur shërbente për të lidhur Drishtin me Shkodrën. Ura e Mesit ka gjatësi 108 metër, gjerësi 3.40 metër dhe ka 13 harqe jo simetrike.