Greqia nderon Anastasin/ Shërbesa e liturgjisë hyjnore në Mitropolinë e Athinës

Liturgjia Hyjnore kryesohet nga nënkryetari i Sinodit të Shenjtë, Mitropoliti i Nafpaktos dhe i Shën Vlasit, Jerotheosi.

Pas përfundimit të saj, Kryepeshkopi i Athinës dhe i gjithë Greqisë, Jeronimos, do të mbajë një shërbesë për shpirtin e të ndjerit.

Në këtë shërbesë marrin pjesë edhe kryeministri, Kyriakos Mitsotakis, dhe kryetari i PASOK-ut, Nikos Androulakis dhe krerët më të lartë të kishës ortodokse.

Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë, Anastas u nda nga jeta në moshën 95-vjeçare mëngjesin e djeshëm në spitalin ‘Ungjëllizimi’ në Athinë ku ishte i shtruar prej 3 janarit.

Në njoftimin e saj, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, u kërkoi besimtarëve të luten për kryepeshkopin, i cili i dedikoi jetën e tij, ringritjes së kishës.

“Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Anastas, ishte rindërtuesi dhe rigjallëruesi i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, të cilën e ngriti tërësisht nga rrënojat pas rënies së regjimit ateist. Me vizionin hyjnor dhe punën e tij të palodhur, ai rindërtoi nga themelet jetën kishtare, ndërtoi qindra kisha, krijoi institucione arsimore dhe bamirëse, si dhe formoi një brez të ri klerikësh, duke ofruar një shërbesë të pandërprerë e sakrifikuese për më shumë se 33 vjet. I përjetshëm qoftë Kujtimi i tij”.

Në mbledhjen e sinodit të shenjtë të kishës ortodokse te shtunen, mitropoliti i Korçës Imzot Joani u zgjodh si Mbikqyrës i Fronit Kryepiskopal.

Pesë ditë zie kishtare janë shpallur në mbledhjen e sinodit nga data 25 – 29 janar 2025.

Trupi i pajetë i kryepeshkopit do të mbërrijë në Shqipëri të martën. Pritja do të bëhet para Katedrales “Ngjallja e Krishtit” Tiranë, në orën 16:00 të pasdites.

Pas pritjes, do të mbahen homazhe brenda Katedrales gjatë pasdites së të martës si dhe ditën e mërkurë, në datë 29 janar.

Ceremonia e varrimit do të bëhet të enjten e 30 janarit. Kryepoeshkopit Anastas do t’i jepet lamtumira e fundit pas liturgjisë hyjnore në katedralen ngjallja e krishtit në orën 11.00 të së enjtes.

Në ceremoninë e përcjelljes për në banesën e fundit pritet, te marrin pjese përfaqësues të lartë dhe patriarkë nga kishat ortodokse në botë.


Shtuar 26.01.2025 11:13