Partizani nuk pranon kritika dhe kjo është e qartë nga mënyra se si ka vepruar klubi i kuq pas ndeshjes së barazuar dje ndaj Skënderbeut. Në mënyrë të pazakontë për një klub profesionist, është vendosur të censurohen deklaratat pas ndeshjes të të kuqve, duke nisur nga ajo e trajnerit Veselinoviç.
Ky i fundit, nuk ngurroi të fliste hapur para kamerave të RTSH për problemet që kishin lindur tashmë në klubin e kuq si pasojë e lëvizjeve në merkato, ku ishin larguar lojtarët kyç të ekipit, ndërsa nuk kishte gati emrat që do t’i zëvendësonin. “Aktualisht nuk kemi cilësinë për të qenë konkurrentë”, tha mes të tjerash trajneri për një raport që i kishte dorëzuar drejtuesve të klubit, teksa lëshoi edhe një thumbim direkt ndaj tyre. “Nuk e di sa seriozisht e kanë marrë raportin njerëzit që ua kam dërguar atë”.
Më pas, para kamerave u shfaq edhe Gjelbrim Taipi, i cili ashtu si Veselinoviç, pranoi se ekipi ishte dobësuar shumë me largimet e janarit. “Klubi besoj po punon se e di që duhet të sjellë lojtarë sepse ambiciet janë të qëndrojë në vendet e para, kështu shpresoj dhe dëshira ime që deri në fund të merkatos të na vijnë lojtarë cilësorë”, tha mesfushori, duek lënë të kuptohet se vetë lojtarët nuk e shihnin si të mbyllur merkaton në hyrje.
Zakonisht, deklaratat pas ndeshjes publikohen në rrjetet sociale të klubit, por si për të konfirmuar se tashëm në klubin e kuq ka një krisje, është vendosur censurimi i tyre. Postimi i fundit i klubit është rezultati përfundimtar i ndeshjes, ku sigurisht nuk kanë munguar komentet dhe kritikat e tifozëve të cilët i kanë dalë hapur në krah Veselinoviç.
Tani pritet të shihet si do të rrjedhin ngjarjet në klubin e kuq, ku situata nuk duket aspak e qetë dhe jep shenjat e para të një revolucioni në pankinë që ka filluar të bëhet i zakonshëm te “demat” në vitet e fundit sapo trajnerët shfaqin publikisht pakënaqësitë që kanë.