Komentuesit shpreheshin ndër të tjera se kjo është përdorur si reklamë nga qeveria dhe se fëmijët shqiptarë që kanë nevojë të trajtohen në vend apo jashtë shteti, nuk ndihmohen.
Rama ka replikuar duke thënë se kjo nuk është e vërtetë, teksa rendit dhe shifrat përkatëse të shtrimeve dhe mjekimeve që fëmijët marrin në institucionet përkatëse shëndetësore.
“Dakord që e keni inat qeverinë, kjo duket, por nuk është faj. Por që inati për qeverinë të të çojë në pikën që të flasësh kaq përçart, kjo është t’i biesh vetes dhe të përhapësh gënjeshtra për llogari të tyre që tek gënjeshtrat janë kapur si i mbyturi pas fijes së barit dhe ju e dini për kë e kam fjalën.
Ku i keni parë ju këta fëmijët që ne i lëmë të vdesin? Kjo natyrisht është një pyetje retorike. Ashtu si kundër ju siguroj sinqerisht nuk ju fajësoj fare, se inati po, llumi i foltoreve, kanaleve, portale ku ju zhyteni po dhe normal që këtu duket sikur njerëzit vdesin dhe për një aspirinë.
Dëgjoni faktet, në Shqipëri çdo vit kurohen në pavionët e pediatrive tona 46 mijë fëmijë. 15 mijë prej tyre në QSUT dhe operohen 2400 fëmijë me sukses të plotë në QSUT. Çdo vit ne çojmë jashtë vendit 25 fëmijë, pra shumë më tepër se shoqatat e mbledhura bashkë, të cilat i falënderoj për angazhimin e tyre të pamohueshëm, respekt. Ajo familja që erdhi nga Gaza erdhi me kërkesë të partnerëve ndërkombëtare dhe si rezultat i vlerësimit tonë në shërbimin pediatrik”, u shpreh Rama.