Sekuestrohen pasuri me vlerë rreth 1 mln euro të Redjan Rrajës, konfiskohet edhe automjeti i Kejvina Kthjellës

Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale, në bashkëpunim me Agjencinë e Administrimit të Aseteve të Sekuestruara dhe Konfiskuara, ka finalizuar operacionin e koduar “Resemblance.”

Në bazë të vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë dhe të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, u konfiskuan një sërë pasurish të luajtshme dhe të paluajtshme, në pronësi të Redjan Rrajës, Kejvina Kthjellës dhe shtetases M. Ç.

Raportohet se autoritetet kanë sekuestruar njësi me sipërfaqe 30 m² dhe 76 m² dhe një automjet në emër të Redjan Rrajës, një njësi me sipërfaqe 127.5 m² dhe dy njësi të tjera nga 18.09 m² në emër të shtetases M. Ç., një orë dore Rolex, si edhe një automjet në pronësi të Kejvina Kthjellës.

Vlera e këtyre pasurive, arrin në rreth 1 milion euro. Ato janë konfiskuar për kalimin në favor të shtetit dhe tashmë i janë dorëzuar Agjencisë së Administrimit të Aseteve të Sekuestruara dhe Konfiskuara.

Materialet hetimore janë dorëzuar Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për ndjekje të mëtejshme.


Shtuar 11.12.2024 11:02