Emisioni investigativ Fiks Fare bëri një vëzhgim në zonën turistike, ku deri më sot janë zbatuar disa projekte, por investimet ishin lënë përgjysmë. Kamera e Fiksit filmoi mbrojtje lumore të shkatërruara, rrugë me gropa të mëdha, godina të braktisura dhe vaskat e ujërave termale të ndërtuara para viteve ’90.
Fondi Shqiptar i Zhvillimit bëri disa tendera, ku zbatimi i punimeve lë shumë për të dëshiruar. Punimet e mëparshme kushtuan 200 mije euro, ku fotot e projektit me ato të zbatimit janë si nata me ditën. Por, këto para shkuan dëm, pasi FSHZH-ja sapo ka finalizuar një tjetër tender, me një vlerë të madhe, për të ndërtuar “godina, struktura shtesë në shërbim të plotësimit të nevojës për akomodim të nevojave, tezga për ekspozimin e produkteve lokale, platformë për evente, restorant, bar, etj”. Një restorant do të ndërtohet mbi lumin Langarica, brenda Zonës së Mbrojtur.
Punonjësi: I ndërtuan shkel e shko
Fiks Fare udhëtoi në Zonën e Mbrojtur “Ujërat Termale të Bënjës” në Përmet, ku në atë vend janë 6 vaska me ujëra termale. Madje, atje është edhe “Ura e Kadiut”, monument kulture dhe “Kanioni i Langaricës”, monument natyre. Pak kohë më parë, Fondi Shqiptar i Zhvillimit bëri një projekt për rehabilitimin, duke ngritur disa struktura druri. Gazetarët biseduan me punonjësin që ruan ato struktura, i cili thotë se deri më tani askush nuk i menaxhon. “S’ka mbaruar akoma projekti. Di që ka financuar Banka Botërore. Unë vetëm i mbikëqyr se tentojnë ti hapin këta turistët. Tani gjëja e parë duhet të jetë ndonjë projekt i dytë që të sjellin ujë, se s’ka ujë. Nuk e shikon që jam me bidonë! Parkimi është bërë, do vendoset një tra në fillim për biletat” thotë punonjësi.
Ai shton se godinat e ndërtuara duhet të funksiononin si dushe, minibar apo zyrë informacioni. “Janë vendosur disa tavolina. Po ishte gjysëm projekti se këto s’kanë vlerë nëse nuk ka mbrojtje nga lumi. Vjen lumi dhe po ta shikosh atje në cep e ka gërryer. Dhe s’kishte projekt. Inxhinieri vuri duart në kokë, të bëj unë kamping pa bërë mbrojtjen nga Langarica” thotë ai, teksa në kohën kur Fiksi xhiroi kishte me qindra turistë nga e gjithë bota. “Këtu vijnë të huaj. Fillimisht u mbytëm me gjermanë, polakë dhe çekë në korrik. Tani dy javët e fundit italianët kanë lënë bregdetin dhe vijnë këtu. Këta të huajt hyjnë në kanion pa guidë, me fëmijë. Para dy muajsh u mbyt një gjermane. Këtu s’është bërë asnjë gjë” thotë ai, teksa shton se punimet janë bërë të ndërprera.
Turistët i bëjnë nevojat në natyrë!
Fiksi ka mësuar se projekti nisi në vitin 2016, por edhe pas 7 vitesh, ende s’ka përfunduar. Investime të copëzuara, njëherë projekti gabim, probleme me pronësinë, me Fondet nga Banka Botërore. U ndërtuan vetëm strukturat e drurit, por ato nuk janë funksionale. Asnjëra prej tyre nuk është e hapur. Punonjësi thotë se turistët ndotin ambientin, duke bredhur me lopata.
“Gjithë problematika është se këto janë bërë me nënkontraktorë. Problematika numër gjë është që vjen turisti dhe bredh me lopatë në dorë. Për të ndyrë se s’ka tualete! Me lopatë vërdallë. Bëj një hesap të vogël, tërë këta kampera, kaq janë pak, ku e derdhin kasën?! Ankohen çobanët na rrëshkasin dhitë. Në lumë s’ua mban b… se ka dalë i mbrojtur. Këta ndërrohen ku të mundin. Vjen gjermania ma bën shurrën mbrapa godinës. Ça ti them unë asaj! As e rruajnë fare. Këta rrinë edhe 1 javë” thotë ai.
Sipas dokumenteve që disponon “Fiks Fare”, projekti ka filluar disa vite më parë me financim të Bankës Botërore. Është kontraktuar Fondi Shqiptar i Zhvillimit, i cili ka bërë disa projekte për këtë zonë. Por, megjithëse janë hedhur qindra mijëra euro, asnjë gjë s’është bërë.
Fiksi bisedoi me përgjegjësin e Zonave të Mbrojtura në Përmet, i cili tha se projektet i di drejtori i Gjirokastrës. Ndërkohë, drejtori tha se “i di Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura në Tiranë”. Fiksi kërkoi informacion nga AKZM-ja, e cila në këtë përgjigje shkruan se “në zonën e mbrojtur monument natyre ‘Ujërat Termale të Bënjës’ po zhvillohet një projekt me qëllim primar përmirësimin e infrastrukturës turistike, nxitjen e turizmit dhe forcimin e kapaciteteve institucionale për të mbështetur turizmin dhe zhvillimin e ekonomisë lokale”. Sipas saj, projekti është hartuar për të përmbushur objektivin kryesor “krijimi i kushteve sa më të mirë për vizitorët-turistët që frekuentojnë zonën. Sipas Agjencisë, procedura e prokurimit për këtë projekt është realizuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.
FSHZH, 200 mijë euro të hedhura dëm!
Disa muaj më parë, Fiksi mori një informacion nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit se projektet mbështetet financiarit nga Banka Botërore. Marrëveshja është nënshkruar në datën 13 dhjetor 2016. Në kuadër të këtij projekti, janë parashikuar disa ndërhyrje edhe për “Ujërat Termale të Bënjës”. Për shkak të shpronësimeve, çështjeve sociale apo përdorimi i asfaltit, projekti u tkurr vetëm në zonat që janë pronë publike. “Ndërhyrja për nënprojektin e rehabilitimit të zonës së mbrojtur pranë Ujërave Termale në Bënjë ka vlerën 19 milionë lekë. Është bërë ndërtimi i një pike kontrolli për hyrjen në park, parkimit për kampera dhe makina, krijimi i një zone kampingu dhe pikniku dhe ndërtimi i qendrës së parkut. Tenderi është anuluar 2 herë. Për këtë arsye, herën e tretë, për shkak të vlerës së vogël dhe në mënyrë që të garantohej suksesi, kjo procedurë iu bashkëngjit një pakete më të madhe ‘Punimet Civile për ‘përmirësimin e Integruar Urban të qytetit të Beratit’” thuhet në këtë përgjigje. Por, këto para janë hedhur në “kosh”, pasi nuk janë funksionale dhe janë bërë gjysma-gjysma!
2 milionë euro për të ndërtuar bare, restorante
Ndërkohë, Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka finalizuar ditët e fundit një tjetër tender me objekt “ndërhyrje e integruar për fuqizimin e potencialit turistik në zonat natyrore, Rajoni 4: Bënja – Destinacion Ndërkombëtar Turistik”, me një fond limit 209 milionë lekë.
Fiksi shfletoi dokumentet shoqëruese, ku detajohen se çfarë punimesh do të kryhen. Sipas tyre, do të ndërtohen bare, restorante dhe zona pikniku në gjithë Zonën e Mbrojtur. “Projektimi i një strukture për restorant dhe bar është i domosdoshëm për funksionimin e këtij destinacioni kombëtar. Objekti i propozuar vendoset përgjatë rrugës të aksesueshme nga automjetet. Struktura mendohet të jetë prej druri, në harmoni me zonën dhe vendoset në një platformë që del mbi lum, e cila do të shërbejë si vendqëndrim për pushuesit duke shijuar dhe bukurinë e kësaj zone”, thuhet në këto dokumente.
Restoranti do të ndërtohet mbi lumin Langarica, brenda një zone të mbrojtur. Madje, projekti ka edhe foto të barit e restorantit, ku pritet që e gjithë zona e Llixhave të shndërrohet në një zonë urbane.
Por, nëse këto bare dhe restorante do bëhen me paratë e qeverisë, kush do t’i përdorë? A mos ndoshta ky është hapi i parë për privatizimin e të gjithë zonës?!/TCH