Maqedonia planifikon vaksinim në terren, Filipçe: Do të imunizohen 15-20 mijë qytetarë (VIDEO)

Nga java e ardhshme përsëri do të fillojë imunizimi masiv me intensitet më të madh, për shkak se gjatë kësaj fundjave do të arrijnë rreth 500 mijë vaksina Sinovac dhe 100 mijë Fajzer, pohon ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe. Ai planifikon që në periudhën në vijim të vaksinohen nga 15-20 mijë qytetarë në ditë, me çka deri në fund të verës të arrijmë imunitetin kolektiv.

“Deri tani janë vaksinuar nën 300 mijë, me sasinë që do të vijë është e planifikuar që periudhën e ardhshme të vaksinohen edhe 300 mijë qytetarë, që i bie 600 mijë qytetarë 50% nga numri i përgjithshëm i popullsisë që vlerësojmë se duhet të vaksinohen, duke përjashtuar fëmijët. Kalkulimet janë për 1.2 milion qytetarë edhe mendoj se deri në fund të verës do të arrijmë përqindje për të cilën mund te themi se kemi arritur imunizim kolektiv”, deklaroi Filipçe.

Në qytetet ku ka numër të vogël të qytetarëve që janë paraqitur për vaksinimin, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, planifikon të organizojë vaksinim në terren.

“Jemi duke punuar në mënyrë serioze në një plan për fushatë intensive për t’i ftuar qytetarët për t’u vaksinuar dhe plani i dytë është për vaksinim në terren aty ku do të shohim se numër i pamjaftueshëm i qytetarëve janë paraqitur për vaksinim”, tha më tej Filipçe.

Në pikat e vaksinimit në të gjithë vendin duke e përfshirë edhe ditën e djeshme janë vaksinuar gjithsej 278.202 qytetarë. Dozën e parë të vaksinës dje e kanë marrë 2.683 qytetarë, ndërsa gjithsej janë vaksinuar 7.202 qytetarë. Me dy doza të vaksinës janë vaksinuar 203.856 qytetarë.


Shtuar 22.06.2021 18:24