Ministri i sanksionuar rus në Beograd: Moska e çmon politikën e balancuar të Serbisë

Ministri i Zhvillimit Ekonomik të Rusisë, Maksim Reshetnikov, ka thënë të premten gjatë një vizite në Beograd se Moska e “çmon politikën e balancuar” të Serbisë dhe qëndrimin e saj për të mos vendosur sanksione ndaj Rusisë, tha Qeveria serbe në një komunikatë.

Reshtnikov u takua me kryeministrin e Serbisë, Millosh Vuçeviç, në kryeqytetin serb dhe ata biseduan për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik dhe të përgjithshëm ndërmjet dy vendeve, thuhet në njoftim.

Reshetnikov është në mesin e një numri zyrtarësh nga Moska që janë nën sanksione perëndimore për shkak të pushtimit të Ukrainës nga Rusia, që nisi më 2022.

Serbia thotë se e mbështet integritetin territorial të Ukrainës, por ajo nuk po pranon të rreshtohet përkrah Bashkimit Evropian, pjesë e të cilit synon të bëhet, për të vendosur sanksione ndaj Rusisë, ndërsa përfaqësuesit e autoriteteve në Beograd vazhdojnë të mbajnë lidhje me Kremlinin.

Në njoftimin e Qeverisë së Serbisë, thuhet se kryeministri, duke folur për sanksionet ndaj Rusisë, ka thënë se Serbia “përkundër presioneve të mëdha udhëheq një politikë të lirë dhe të pavarur” dhe se ka bashkëpunim të mirë si me Rusinë ashtu edhe me Bashkimi Evropian, Kinën dhe vende të tjera.

Rusia është mbështetja më e madhe e Serbisë në kundërshtimin e pavarësisë së Kosovës, të cilën Prishtina e shpalli më 2008.

Vuçeviç gjatë bisedës ka theksuar se Serbia është e gatshme të diskutojë për vazhdimin e kontratës për furnizim me gaz rus dhe se marrëveshja nga Shën Petersburgu për furnizim shtesë me gaz gjatë sezonit dimëror është e një rëndësie të madhe për Serbinë.

Prej fillimit të pushtimit rus të Ukrainës, Serbia ka nisur të punojë për gjetjen e burimeve të tjera të furnizimit, por gazi ende kryesisht vjen nga Rusia.

Vuçeviç e falënderoi Rusinë që e ftoi Serbinë të marrë pjesë në samitin e BRICS, një grup i kryesuar nga nga vende si Rusia, Kina dhe India.

Një delegacion prej katër anëtarësh nga Qeveria e Serbisë mori pjesë në samitin e BRICS në Kazan, Rusi, nga 22 deri më 24 tetor.

Vuçeviç theksoi se biseda mes presidentëve të dy vendeve, Aleksandar Vuçiq dhe Vladimir Putin, paraqet “vrull të ri për marrëdhëniet e përgjithshme dypalëshe ndërmjet Serbisë dhe Rusisë”.

Pas një bisede telefonike më 20 tetor, Vuçiq tha se e falënderoi Putinin “që më siguroi se Rusia do t’i japë mjaftueshëm gaz Serbisë këtë dimër”.

Reshetnikov tha se Serbia dhe Rusia mund ta përmirësojnë bashkëpunimin në ekonomi, si dhe në fusha të tjera, si energjetika, tregtia, bujqësia, transporti, sipas njoftimit.

Ai gjithashtu shprehu gatishmërinë që kompanitë ruse të marrin pjesë në të gjitha projektet me rastin e ekspozitës ndërkombëtare EXPO 2027, e cila do të mbahet në Beograd.

Në të njëjtën ditë, kur ministri ruse nën sanksionet perëndimore po viziton Serbinë, në Beograd ndodhet edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Von der Leyen është duke e kryer një turne në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, për të biseduar me zyrtarët e tyre për Planin e Rritjes së Bashkimit Evropian me vlerë gjashtë miliardë euro dhe përparimin e tyre drejt integrimit evropian./ REL


Shtuar 25.10.2024 16:48