Siguronte viza të falsifikuara për shtetas të huaj dhe kalimin e tyre në vendet e BE-së, arrestohet futbollisti në Tiranë

Futbollisti Yvan Zouzou 21-vjeç, i cili ka rënë në pranga nga policia. Sipas një komunikate, i riu kalonte ilegalisht emigrantët e paligjshëm kundrejt pagesës.

Teksa janë proceduar penalisht 2 persona të tjerë, pasi dyshohet se ishin bashkëpunëtorë të 21-vjeçarit.

Policia thotë se i riu është futbollisht, por nuk jep detaje të tjera.

Ndërkohë që janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, 13 viza të dyshuara të falsifikuara, mandate transfertash, dokumente të tjera dhe 2 celularë.

Njoftimi i policisë:

DVP Tiranë/ Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, operacioni policor i koduar “Viza”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve, kundrejt pagesës.

Ndalohet një 21-vjeçar (futbollist), i cili siguronte viza turistike të falsifikuara, për shtetas të huaj, me qëllim hyrjen në Shqipëri dhe më pas kalimin në mënyrë të paligjshme në vendet e BE-së.

Procedohen penalisht 2 shtetas të tjerë, pasi dyshohet se ndihmonin 21-vjeçarin.

Sekuestrohen 13 viza të dyshuara të falsifikuara, mandate transfertash, dokumente të tjera dhe 2 celularë.

Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Tiranë, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e aktivitetit të paligjshëm të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufijve me vendet e BE-së, nëpërmjet tranzitimit në territorin shqiptar, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, kanë goditur një rast të kësaj veprimtarie kriminale, në kuadër të operacionit policor të koduar “Viza”.

Gjatë operacionit u ndalua shtetasi Y. Z., 21-vjeç, banues në Tiranë, si dhe u proceduan në gjendje të lirë shtetasit Sh. S., 43-vjeç, banues në Tiranë, dhe I. B., 27-vjeç, banues në Gjermani.

Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi Y. Z. siguronte viza të dyshuara të falsifikuara, kundrejt pagesës, për shtetas të huaj, kryesisht nga Lindja e Mesme, për të hyrë në Shqipëri, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufijve me vendet fqinje, për të kaluar më pas në shtetet e tjera të BE-së.

Në vijim të veprimeve u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit Sh. S. dhe I. B., të cilët dyshohet se ndihmonin 21-vjeçarin, në këtë veprimtari kriminale.

Vijon puna për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë.


Shtuar 23.10.2024 14:50