Forcohet bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Kosovës për rritjen e sigurisë në burgje

Forcimi i bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë në fushën e sigurisë së burgjeve, ishte në fokus të takimit të zhvilluar në Prishtinë mes drejtorit të Burgjeve të Shqipërisë, Klevis Qose dhe drejtuesit të Shërbimit Korrektues në Kosovë, Ismail Dibrani.

Drejtoria e Burgjeve njoftoi sot se, gjatë takimit ishte i pranishëm dhe Këshilltari Global të ICITAP-it për Kundërterrorizëm, Bill Sage, dhe Këshilltarin Rajonal për Njësitë e Inteligjencës Korrektuese, Frank Karam.

SIpas njoftimit për media, takimi u zhvillua në zyrat e Shërbimit Korrektues në Kosovë. Ai u fokusua në çështjet e sigurisë në institucionet korrektuese të të dyja vendeve, duke u përqendruar në ndarjen e përvojave dhe praktikave më të mira në menaxhimin e burgjeve.

Gjatë këtij takimi, u theksua rëndësia e mbështetjes së ICITAP-it, veçanërisht në rritjen e kapaciteteve, praktikave më të mira dhe mbështetjen e vazhdueshme.

Në kuadër të kësaj mbështetjeje, janë identifikuar pajisje të rëndësishme për sistemin e burgjeve, përfshirë skanerë, kamera detektuese të telefonave dhe pajisje të tjera sigurie. ICITAP-i dhe INL-i vazhdojnë të jenë partnerë të rëndësishëm për zhvillimin dhe reformimin e Sistemit të Burgjeve në Shqipëri dhe Shërbimit Korrektues të Kosovës, duke ofruar mbështetje të pazëvendësueshme për përparimin e këtij institucioni.


Shtuar 27.08.2024 17:29