Plas sherri mes të rinjve në Bulqizë, një prej tyre godet punonjësin e policisë

Ditën e sotme, ka ndodhur një sherr në Bulqizë, ku mësohet se një 33-vjeçar, është konfliktuar për motive të dobëta, me një 34-vjeçar dhe një 31-vjeçare.

Teksa një punonjës i policisë ndërhyri për të parandaluar konfliktin, 33-vjeçari e ka goditur ku për pasojë edhe u arrestua në flagrancë për veprën penale të “Goditja për shkak të detyrës”.

Ndërkohë dy personat e tjerë të përfshirë në konflikt, janë proceduar penalisht për “Plagosje të lehtë me dashje” .

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë, me marrjen e njoftimit se në lagjen e Re në Bulqizë, po ndodhte një konflikt mes disa shtetasve, kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë ku ka rezultar se shtetasi H.H, 33-vjeç, banues në Bulqizë, për motive të dobëta po konfliktohej me shtetasin K.Ç., 34-vjeç dhe shtetasen L.Ç., 31-vjeçe.

Shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë menjëherë për të parandaluar konfliktin, ku gjatë ndërhyrjes për shoqërimin e personave në komisariat, shtetasi H.H., ka kundërshtuar dhe goditur për shkak të detyrës punonjësin e policisë.

Në përfundim të veprimeve të kryera, shtetasi H.H., u arrestua në flagrancë për veprën penale të “Goditja për shkak të detyrës”.

Sakaq, filloi procedimi penal për shtetasin K.Ç., dhe shtetasen L.Ç., për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje” .

 


Shtuar 26.08.2024 11:18