Meta: Shqiptarët e Luginës kanë të drejtë, Beogradi të heqë dorë nga praktikat shkombëtarizuese. Ndërkombëtarët të garantojnë…

Partia e Lirisë del hapur në mbështetje të kërkesave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Duke marrë shkas nga protestat e fundit të shqiptarëve në Bujanovc, përmes një reagimi në rrjetet sociale, presidenti i PL-së, Ilir Meta shprehet se kërkesat janë të drejta të shqiptarëve të Luginës së Preshevës për Dinjitet dhe Identitet dhe solidarizohet me protestën e tyre legjitime për respektimin e detyrimeve që rrjedhin nga Konventa Europiane e të Drejtave të Minoriteteve që Serbia ka firmosur, si dhe të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara mes përfaqësuesve legjitim të shqiptarëve dhe Qeverive në Beograd.

Nga ana tjetër, Meta thotë se ndalimi i çdo formë diskriminimi të shqiptarëve në trojet e tyre shekullore të Luginës së Preshevës, heqja dorë nga praktikat shkombëtarizuese si procesi i pasivizimit të adresave, respektimi i plotë i lirive dhe të drejtave themelore individuale dhe kolektive të shqiptarëve, ndihmon bashkëjetesën ndëretnike atje dhe kontribuon për paqen e stabilitetin në rajon.

REAGIMI I PLOTË I ILIR METËS

Partia e Lirisë mbështet me forcë kërkesat e drejta të shqiptarëve të Luginës së Preshevës për Dinjitet dhe Identitet dhe solidarizohet me protestën e tyre legjitime për respektimin e detyrimeve që rrjedhin nga Konventa Europiane e të Drejtave të Minoriteteve që Serbia ka firmosur, si dhe të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara mes përfaqësuesve legjitim të shqiptarëve dhe Qeverive në Beograd:

1⃣.Plani dhe Programi për zgjidhjen e krizës në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë dhe Marrëveshja e Konçulit e vitit 2001;

2⃣.Marrëveshja për riorganizimin e Trupit Koordinues dhe Rikonfirmimit të parimeve të Marrëveshjes së vitit 2001;

3⃣.Plani 7 pikësh, të cilin Qeveria e Serbisë, në tërësi e ka aprovuar më 2013.

I bëjmë thirrje të gjithë institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare që kanë garantuar këto marrëveshje të reagojnë, veprojnë dhe ruajnë besueshmërinë e tyre.

Ndalimi i çdo formë diskriminimi të shqiptarëve në trojet e tyre shekullore të Luginës së Preshevës, heqja dorë nga praktikat shkombëtarizuese si procesi i pasivizimit të adresave, respektimi i plotë i lirive dhe të drejtave themelore individuale dhe kolektive të shqiptarëve, ndihmon bashkëjetesën ndëretnike atje dhe kontribuon për paqen e stabilitetin në rajon.


Shtuar 17.08.2024 11:43

Tags: ,