Raportime të pasakta, asnjë masë për parandalimin e pastrimit të parave, BSH pezullon licencat e 2 mikrokredive ‘Rrushkull One’ e ‘Perlat’

Banka e Shqipërisë i ka pezulluar aktivitetin e dy shoqërive të mikrokredive “Perlat” dhe “Rrushkull One”, për shkak të shkeljeve të shumta që janë konstatuar në aktivitetin e tyre. Në vendimin e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë thuhet se shoqëria e kursim-kreditit ‘Rrushkull One’, ka bërë raportime të pasakta për pasqyrat financiare, nuk ka raportuar në regjistrin e kredive, si dhe nuk ka marrë masa për të shmangur pastrimin e parave.

Në vendimin e Këshillit Mbikëqyrës thuhet se ky subjekt ka shkelur ligjin për parandalimin e pastrimit të parave, pasi nuk ka marrë informacion mbi burimin e të ardhurave të klientëve, nuk ka analizuar profilin e tyre dhe s’ka ushtruar monitorim mbi transaksionet e kryera.

Po ashtu në vendim thuhet se ky subjekt nuk ka raportuar brenda afateve transaksionet me para fizike mbi 1 milionë lekë.

Për këto arsye Banka e Shqipërisë ka vendosur t’i pezullojë aktivitetin për 6-muaj deri më 31 janar 2025. Brenda kësaj periudhe kjo shoqëri nuk mund të ushtrojë aktivitetin e kredidhënies si dhe nuk lejohet mbledhja e depozitave në çdo formë, përshirë edhe depozitimet në llogari rrjedhëse. Gjatë periudhës së pezullimit, lejohet vetëm tërheqja e depozitave dhe shlyerja e kësteve të kredisë nga anëtarë të SHKK-së, si dhe transferimi i depozitave dhe kredive për qëllime të bashkimit me përthithje me shoqërinë e kursim-krediti “Perlat”.

Duke qenë se kjo mikrokredi kishte nisur prej 3 vitesh bashkimin me shoqërinë ‘Perlat’, i është kërkuar që ta mbyllë këtë proces brenda 31 dhjetorit të këtij viti.

Për shkak të shkeljeve dhe situatës së bashkimit me ‘Rrushkull One’, Këshilli Mbikëqyrës ka vendosur të pezullojë aktivitetin edhe të ‘Perlat’, duke i lejuar vetëm vijimin e procedurave të bashkimit.

Pezullimi i aktivitetit të këtyre kompanive vjen pas skandalit me mikrokreditë, ku mijëra qytetarë u zhvatën nga kompanitë e mbledhjes së kredive të këqija, MCA dhe Final.


Shtuar 16.08.2024 11:42

Tags: ,