Abuzimet me “5D”-në/ Pas bllokut të lekëve, drejtorëve të Bashkisë Tiranë u hapen dhe bisedat në “Whatsapp”

Dëshmia e një prej punonjësve të shoqërisë “5D” dhe hapja e telefonit të Nestor Muhametllari, ka bindur prokurorinë mbi pronarët e hotelit 16 kate që po ndërtohet në Durrës.

Punonjësi në fjalë ka treguar së shoqëria “5D”, po ndërton një hotel në Durrës dhe nga korriku i vitit 2022 ai ndjek punimet.

Para hetuesve është shprehur se njeh si personin më të përfshirë që rregullisht vinte në hotel dhe ndiqte punimet, duke iu referuar Redi Mollës, ish-drejtorit të bashkisë së Tiranës.

Ndër të tjera, ai ka deklaruar se investitorët e tjerë janë: Gazmend Haxhia, Elvin Tivari dhe Dritan Kadiu.

Sipas punonjësit të gjithë ata kanë një grup në aplikacionin “Whatsapp”, ku bëjnë pjesë edhe investitorët Nestor Muhametllari, Mariglen Lika, dhe punonjësi që ka dhënë dëshminë, ku diskutojnë për problemet e ndryshme që hasin.

Më tej, në dëshminë e tij është shprehur se kompania “5D”, është nënkontraktore vetëm për pjesën e karabinës dhe se ai për ccdo problem komunikon me Redi Mollën.

Sipas SPAK, Redi Molla, është personi që në dinamikë ka mbajtur kontakte me institucionet shtetërore dhe nënkontratorët për ndërtimin e hotelit.

Ndërkohë nga këqyrja që i është bërë telefonit të Nestor Muhametllarit, është gjetur një grup komunikimi në lidhje me procesin e punimeve në këtë hotel, ku bëjnë pjesë edhe investitorët dhe nenkontraktorët.

Sipas analizimit të bisedave del se Redi Molla, ka qenë personi që drejton punimet dhe udhëzon mbi to.