IRONIA E DITES/ Shqipëria shumë shpejt do të jetë superfuqia olimpike e botës!

nga Lutfi Dervishi

Pse të shpenzojmë kohë dhe para për të rritur talentet vendase kur mund të “punësojmë” atletët më të mirë nga e gjithë bota?

Pastaj nuk është se na ka dale aq keq që terrenet sportive i kemi kthyer në kulla.

Fundja, ne në ekonomi tregu jemi. Kur importojme çdo gjë pse të mos importojme edhe sportistë?

Përderisa mundësit nga Rusia na zbardhën faqen dhe na bënë krenarë me medaljen e parë olimpike, pse të mos hedhin vështrimin nga vendet aleate të NATO-s dhe fqinjët?

1.Basketbollistët nga Amerika

Pse të mos marrim disa yje të NBA-së? P.sh; Steph Curry nuk luajti keq mbrëmë në finalen me Francën. Me çmimin e duhur ai dhe shoket e tij me siguri do të shkëmbejnë fanellën amerikane me fanellën kuq e zi. Me pagesën e duhur dhe një premtim për një pronë buzë detit në Durrës, Shqipëria do të bëjë një tri pikësh që do të mbahet mend gjatë.

2. Yjet e Ping-Pong-ut nga Kina

Skena e ping-pongut në Shqipëri është po aq aktive sa një stuhi bore këto ditë, por pse të lodhemi pas nje topi ping-pong kur mund të marrim disa lojtarë kinezë të klasit botëror? Me to e kemi pak më të thjeshtë: u ofrojmë shtetësi shqiptare dhe vakte makaraonash falas meqë janë velur nga orizi.

3. Çiklistë nga Holanda

Të gjithë e dinë që holandezët janë makina të çiklizmit. Pse të mos i ftojmë disa prej tyre për një udhëtim me biçikletë… nën flamurin shqiptar? U premtojmë disa shtigje malore dhe një peizazh të instagramueshëm dhe së shpejti do të kemi çiklistë holandezë që shkojnë drejt finishit të garës duke bërë simbolin e shqiponjës me duar nën thirrjen: O sa mirë qenka me qen shqiptar!

4. Atlete nga Xhamajka

Ëndrra e Shqipërisë për pista vrapi i ngjan një filmi të vjetër me xhiro të ngadalta. Tani që Luiza Gega është pranë “pensionimit” të sportit aktiv, nuk ka kuptim të trajnojmë atletë vendas dhe të ndërtojmë pista vrapi kur mund të huazojmë disa xhamajkanë të shpejtë si rrufeja. Besoj s’ka diskutim!

5. Zhytës nga Australia

Plazhet tona mund të jenë mahnitëse, por nuk kanë prodhuar ende zhytës olimpikë. Por Australia ka shumë për të ofruar. Do t’u ofrojmë atyre një qëndrim të përkohshëm në Sarandë, mundësinë për të shmangur krokodilë dhe së shpejti do të kemi një ekip zhytjeje që do të bëjë botën të na marrë seriozisht.

6. Shpatarët nga Franca

Shpatat nuk kanë qenë një arma jonë e preferuar që nga koha e Skënderbeut, por kush thotë që historia nuk mund të përsëritet? Me disa shpatarë francez në radhët tona, Shqipëria mund t’i kthehet së shpejti lavdisë olimpike. Gjithçka që na duhet është një baguette dhe një beretë për çdo rekrut.

7. Waterpoli nga Kroacia

Të mos harrojmë waterpolin. E vërtetë që nuk kemi traditë dhe nuk e levrojme si sport. Por hobi kombëtar i Kroacisë mund të bëhet arma sekrete e Shqipërisë. Thjesht u ofrojme atyre disa vila të bukura në Rivierën Shqiptare, dhe befas, ekipi ynë i waterpol-it do të jetë i paarritshëm.

8. Xhudot nga Kosova

Xhudistet i marrim me lehtë nga Kosova. Madje nuk kemi nevojë të shpenzojme asnjë euro. Thjesht i kercenojme me rritjen e tarifes se traut në Kalimash. Duke qene patriot, lojtaret dhe traineri tyre do të vënë interesant e Kosovës para interesave personale dhe do të pranojnë të garojne per Shqipërinë.

9.Gjithologë nga Shqipëria

Falë një lobimi të fortë që është duke u bërë vitet e fundit, burime të sigurta brenda kupolës së Lojërave Olimpike, njoftojnë se është marrë në konsideratë propozimi për të futur si disiplinë garuese “Gjithologjinë”, një sport i cili ka lulëzuar akoma edhe më shumë në Ballkan. Shqipëria është pretendente kryesore për medalie të artë, por i vetmi problem mbetet niveli i garës së brendshme e cila është mjaft e fortë ku pretendentët mbeten të shumtë. Përmes kësaj disipline, sportistët tanë të gjithologjisë të lindur në Shqipëri kanë shfaqur ambicje jo vetëm për medalje të artë apo të broxtë, por edhe prej diamanti nëse do lipset nevoja.

Me këtë plan strategjik të “rekrutimit”, Shqipëria është në rrugën e duhur për t’u bërë vendi numër një per medalje të arta olimpike.

Sigurisht, atletët fitues nuk do të jenë lindur dhe rritur në Shqipëri, por a ka kjo rëndësi para faktit se do të ngrihet Flamuri shqiptar dhe do të degjohet himni kombëtar!

#KrenarpërShqipërinë2030-2100


Shtuar 13.08.2024 00:00