Dëmi 62 milionë euro/ Partia Demokratike dërgon në SPAK një tjetër dosje për ministrin Pirro Vëngu

Këtë të hënë, grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, përmes kreut të grupit Gazment Bardhi, i ka kërkuar përsëri sot SPAK të nisë hetimet për ish-drejtorin e Autoritetit Portual Durrës, ministrin e ri të Mbrojtjes Pirro Vëngu.

Sipas PD, shkak për këtë shtesë në kallëzimin e njoftuar më 31 korrik, janë bërë disa shkelje ligjore që ish- drejtori i Portit të Durrësit, ka bërë gjatë ushtrimit të detyrës.

Partia Demokratike, e akuzon Vëngun se ka favorizuar kompanitë koncesionare, si dhe ka kryer 11 procedura tenderi në shkelje me ligjin.

Shkeljet e pretenduara sipas PD

(i) mosrealizim të të ardhurave për shkak të favorizimit të subjekteve private; (ii) shpërblime të pamerituara për punonjësit; (iii) shpenzime të panevojshme dhe të pajustifikuara për karburant; (iv) mosarkëtimi të borxheve të praprambetura; (v) shkelje flagrante në procedurat e prokurimit publik; (vi) mosrespektim të detyrimeve ligjore dhe kontraktore në kontratat për dhënie me qira të ambienteve/trojeve; (vii) favorizim në kundërshtim me ligjin i subjekteve që kryejnë përpunimin e mallrave; dhe (viii) mungesa e kontrollit dhe favorizimi i koncesionarëve që operojnë në Portin e Durrësit.

Konkretisht:

Nga verifikimi i 11 procedurave të prokurimit publik, me vlerë 34 milionë euro, rezulton se janë kryer një sërë shkeljesh ligjore nga Drejtori i Përgjithshëm i APD-së, Pirro Vëngu. Karakteri sistematik dhe i përsëritur i këtyre shkeljeve me efekt tepër negativ për Buxhetin e Shtetit dhe në favor të subjekteve tregtare private, dëshmon për një veprimtari kriminale të organizuar dhe të qëndrueshme të shtetasit Pirro Vëngu, në cilësinë e titullarit të Autoritetit Portual Durrës.

Nga auditimi i 72 kontratave për dhënien me qira të ambienteve dhe trojeve të depozitimit, rezulton se për tarifimin e subjekteve nuk respektohet VKM nr. 54, datë 05.02.2024 “Për përcaktimin e kritereve, të procedurës e të mënyrës së dhënies me qira, enfiteozë apo kontrata të tjera të pasurisë shtetërore”.

Nga verifikimi i kontratave me tre kompanitë që operojnë për kryerjen e përpunimit të mallrave (ngarkim-shkarkim), rezulton se janë favorizuar operatorin ekonomik dhe vënë në vështirësi financiare Portin e Durrësit.

Nga verifikimi i kontratave me tre kompanitë koncesionare, konstatohet se nuk janë kryer investimet sipas parashikimeve kontraktore; ka mangësi në menaxhimin e sistemit për monitorimin e kontratës së konçesionit në terminalin e trageteve, ç`ka ka sjellë ulje të ardhurave për Portin e Durrësit, duke favorizuar në kundërshtim me ligjin kompanitë koncesionare.

Sipas një analize të bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, si rezultat i veprimeve dhe mosveprimeve të shtetasit Pirro Vëngu është shkaktuar:

a) dëm ekonomik prej 124.792.132 lekë, që përfaqëson shpërblime të padrejta, penalitete dhe pagesa për punime të pakryera gjatë zbatimit të kontratave.

b) efekte negative në administrimin e fondeve publike për menaxhimin me ekonomicitet, eficencë dhe efektivitet të tyre në vlerën prej 2.575.066.085 lekë, në zbatimin e procedurave të prokurimit publik, shpërblimet ndaj punonjësve, nga gjyqet për largimet e padrejta nga puna të punonjësve, mosshfrytëzimin e aseteve.

c) të ardhura të munguara në vlerën 119.406.605 lekë në mos shfrytëzimin e aseteve të APD në përpunimin e mallrave rifuxhi, por janë përdorur kompanitë stivadore.

“Në këto kushte, ekzistojnë dyshime të arsyeshme të bazuara mbi prova, se Pirro Vëngu, ish-drejtor i Autoritetit Portual Durrës, dhe aktualisht ministër i Mbrojtjes, ka konsumuar veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, të parashikuara nga nenet 248 dhe 258 të Kodit Penal”, thuhet në dokumentin e PD dorëzuar në SPAK për ministrin e ri të Mbrojtjes.


Shtuar 5.08.2024 12:58