Gjykata e Posaçme, ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Leonard Dukën. Kreu i klanit ‘Duka’, ra në pranga një vit më parë, në shkurt 2023, teksa fshihej në një banesë private në një provincë të Brukselit.
Duka ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me dashje”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Sigurimi i kushteve për vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, thuhet më tej në njoftimin e policisë.
Së bashku me gjashtë persona të tjerë, ata akuzohen si autorët e dyshuar të ngjarjes së ndodhur në vitin 2019, në rrugën “Xhanfize Keko”, Tiranë, ku mbeti i vrarë me armë zjarri, ish polici Santiago Malko.
Gjithashtu, Duka në bashkëpunim me persona të tjerë, ka planifikuar vrasjen e Ervis Martinajt, ndaj të cilit Santiago Malko ishte krahu i djathtë dhe ka planifikuar vrasjen e Erigers Mihasit apo anëtarëve të tjerë të grupit të tyre.
Kush është Leonard Duka?
Kujtojmë që Leonard Duka, u arrestua në shkurt të 2023 në Belgjikë, por qëndroi vetëm disa muaj në arrest, pasi ende nuk kishte marrëveshje për ekstradimin e tij.
Pas megaoperacionit policor, ‘Metamorfoza 2’ ku u zbardhën biseda në Sky Ecc të kokave të krimit në Shqipëri dhe u zbardhën disa vrasje dhe tentativa për vrasje, Duka u shpall sërish në kërkim dhe më 18 maj 2024 u vu në pranga në Belgjikë.
Personazhi i krimit “Leonard Duka” është shumë i njohur për drejtësinë, por edhe për publikun shqiptarë, i arrestuar arrestuar për herë të fundit në vitin 2019 nga një operacion për luftën kundër trafikut të drogës.
Teksa ka qenë në kërkim edhe për një atentat të dështuar më parë. Armiqësia e Dukës me Ervis Martinajn, ka tërhequr më së shumti vëmendjen. Ervis Martinaj i cili ka qenë një nga bosët më të mëdhenj të lojërave të fatit në Shqipëri dhe njeri me influencë jo vetëm në botën e krimit, ishte kthyer ‘në gjahun’ më të shtrenjtë të rivalëve të tij, mes të cilëve është përmendur edhe ‘Klani Duka’. P
or edhe vete Duka shpesh herë ka qenë objektiv eliminimi, teksa u ka shpëtuar disa atentateve i ndihmuar edhe nga lëvizjet e informacionet që merrte brenda strukturës së policisë.
Goditja e tij më e fortë që mundi të bënte ishte eliminimi i ish-policit Santiago Malkos, i njohur dhe si një ndër njerëzit më të rëndësishëm të rivalit të tij, Ervis Martinajt. Më tej ai është përfolur edhe si i përfshirë më atentatin ndaj Fabian Gaxha, Erigers Mihasi, kushëriri i parë Brilant Martinaj dhe 2 të tjerë te atentati i Fushë Krujës, por në Milot disa ditë më vonë u vra Klisman Preçi dhe i plagosur rëndë krahu i djathtë i Martinajt, Ylli Brahimi, persona që janë sulmuar dhe eliminuar.
Duka u arrestua në Belgjikë më 18 maj 2024 pasi ndaj tij ishte firmosur një urdhër arresti në kuadër të megaoperacionit “Metamorfoza 2′ ku nga zbardhja e biseda në Sky ECC u zbuluan disa nga ngjarjet më të rënda kriminale në Shqipëri dhe u zbardhën disa vrasje dhe tentativa për vrasje dosjet e të cilave kishin zënë pluhur në vite.
38 vjeçari, Leonard Duka ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ZQK Interpol Tirana, pasi Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit te Organizuar i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për kryerjen e veprave penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit luftarak”, të kryera në formën e grupit të strukturuar kriminal.