Lili Sula: Një email mashtrues e prezantuar si mbesa e kryeministrit, vuri në lëvizje Ministrinë e Arsimit si kurrë më parë në historinë e qeverisë Rama

Këtë të mërkurë, në një deklaratë për mediat, drejtuesja e Departamentit të Arsimit në PD, Lili Sula, u shpreh se një email mashtrues e prezantuar si mbesa e kryeministrit, vuri në lëvizje ministrinë e Arsimit si kurrë më parë në historinë e qeverisë Rama.

Sipas saj, “Ministria e Arsimit dhe Sportit nuk ka vepruar ndonjëherë kaq shpejt për trajtimin e nxënësve ose të mësuesve, as për infrastrukturën arsimore, as për një mijë e një probleme nga të cilat lëngon arsimi-nga mashtrimi për financimin e arsimit 5% të PBB tek drejtuesi i institucionit që krijon rrjetin e shpërndarjes së drogës me nxënësit e tij”.

Mest ë tjerash, Sula u shpreh se; skema e mashtrimit është kaq e trashë po dhe kaq groteske, aq sa edhe procedura e verbër e pa asnjë informacion ose verifikim të domosdoshëm, që ka ndjekur ministria, sa shteti njëjtësohet me kryeministrin dhe mbiemrit të tij i shërbehet symbyllur.

Deklarata:

Skema e mashtrimit me bursat e studimit falas në SHBA ka mbërthyer Ministrinë e Arsimit dhe Sportit nga maja e piramidës; ajo nuk lidhet vetëm me një gjimnaz në Tiranë dhe drejtoreshën dhe mësuesen e anglishtes të gjimnazit Qemal Stafa, por të gjithë hallkat e sistemit arsimor parauniversitar.

Zyrat vendore arsimore dhe drejtorët e shkollave janë urdhëruar nga drejtoria e përgjithshme e arsimit që të bëhen pjesë e projektit të Klea Ramës-mbesës së kryeministrit dhe nga shtatori i 2023 e gjatë gjithë vitit shkollor janë përfshirë shkolla nga mbarë vendi.

Siç e kërkonte rasti, janë falenderuar edhe drejtues të arsimit Rezarta Alla dhe drejtuesja e projektit, Klea Rama, dhe në rrjete sociale janë publikuar foto nga fazat përzgjedhëse të studentëve fitues të bursës.

Ka mjaftuar vetëm një e-mail dërguar zv. ministres znj. Nina Gugu-asnjë takim fizik, asnjë komunikim tjetër pune-vetëm përmes një e-maili nën emrin e mbesës së kryeministrit Rama. Një 20-vjeçar me identitet të rremë tërhoqi prej hunde ministrinë dhe kupolën e saj, duke i vënë në lëvizje brenda tri ditësh, dhe pa ngurrim, u përfshinë hallkat e drejtimit të arsimit, mësuesit e nxënësit në procese votimi për maturantët më të mirë për të studiuar në Amerikë.

Ministria e Arsimit dhe Sportit, nuk ka vepruar ndonjëherë kaq shpejt për trajtimin e nxënësve ose të mësuesve, as për infrastrukturën arsimore, as për një mijë e një probleme nga të cilat lëngon arsimi-nga mashtrimi për financimin e arsimit 5% të PBB tek drejtuesi i institucionit që krijon rrjetin e shpërndarjes së drogës me nxënësit e tij.

Ama, kur një e-mail vjen nga “familjarët” e Ramës, rendin verbazi për ta kryer pa bërë verifikimin më të vogël – teksti i e-mailit merret i mirëqenë. Për faktin e thjeshtë se shteti dhe Rama janë një.

Kështu e ka trajtuar Ministria e Arsimit mashtrimin përmes vetëm një e-maili, e duke dashur të tregohet sa më shembullore në zbatimin ethshëm të kërkesës, kanë përfshirë maturantët gjatë gjithë vitit shkollor në qorrsokak.

Skema e mashtrimit është kaq e trashë po dhe kaq groteske, aq sa edhe procedura e verbër e pa asnjë informacion ose verifikim të domosdoshëm, që ka ndjekur ministria, sa shteti njëjtësohet me kryeministrin dhe mbiemrit të tij i shërbehet symbyllur.

Dhe kjo është zbardhja e fenomenit në rastin e molisjes pas pushtetit, që partia shtet e ka ngritur në sistem e në çdo zyrë e qelizë shtetërore.

Ministria e arsimit, ka urdhëruar institucionet arsimore të ndërpresin menjëherë projektin, por nuk thuhet asgjë për dëmin që u është bërë maturantëve që u zgjodhën për të studiuar në Amerikë. Nga ana tjetër, kush mban përgjegjësi për skandalin e radhës që përfshin gjithë sistemin parauniversitar?

Nuk është hera e parë që profile të rreme në internet apo nga numra telefoni, individë të ndryshëm paraqiten si ministra, kryetarë bashkosh apo vetë kryeministri. Duke kërkuar para, favore etj. Pre e kësaj skeme kanë rënë jo pak vetë, dhe kjo e ka një shpjegim: nuk dyshojnë se ai që kërkon para apo favore është njeri i pushtetit; Rilindja e Ramës të tilla i ka kreditet.


Shtuar 31.07.2024 12:38