Ndryshimet në qeveri, VOA: Rama vendos ministra jo politikë në postet kyçe

Në Shqipëri, kryeministri Edi Rama njoftoi sot ndryshime të reja në qeverinë e tij, në më pak se një vit nga zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Ndërhyrjet e befta prekën tre institucione kyçe për një qeveri, Financat, Mbrojtjen dhe Ministrinë e Brendshme. Ajo që bie në sy është se emrat e rinj, janë të gjithë profile jo politike, por drejtues të institucioneve të ndryshme.

Ministria e Financave ndryshon drejtimin në më pak se një vit. Ishte shtatori i vitit të kaluar kur në krye të saj u emërua Ervin Mete. Ndërsa tani, ai largohet nga kabineti, për t’i hapur vendin zotit Petrit Malaj, aktualisht drejtues i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN). Një tjetër emër teknik që përfshihet në qeveri, është ai i Pirro Vengut, drejtues aktual i Portit të Durrësit. Të dy ministrat e rinj vijnë nga institucione që janë në varësi të Zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku.

Pirro Vengu zëvendëson në krye të Mbrojtjes, zotin Niko Peleshi, të cilit i besohet drejtimi i grupit parlamentar socialist. Surprizë dhe largimi nga ministria e Brendshme e Taulant Ballës, i emëruar në këtë post në korrik të vitit të kaluar. Zoti Balla megjithatë do të mbetet në kabinet si ministër Shteti për Marrëdhëniet me Parlamentin, duke zëvendësuar Elisa Spiropalin. Kjo e fundit u katapultua në postin e numrit 2 të shtetit, atë të kryetares së parlamentit, pas dorëheqjes së Lindita Nikollës, dy ditë më parë, për arsye personale, siç deklaroi ajo vetë.

Ndryshimet në qeveri, zoti Rama i njoftoi në fund të një fjale të tij të gjatë, në Kongresin e Partisë socialiste, i thirrur për të votuar Asamblenë e re Kombëtare të kësaj force politike. Siç ka ndodhur dhe në rastet e mëparshme, kryeministri nuk dha asnjë shpjegim apo motiv për ndryshimet në kabinetin e tij, ndonëse ato prekin, postet thuajse më me peshë.

Gjatë vitit të kaluar zoti Rama kishte ndërhyrë për ndryshime të tjera në qeverinë e tij, ndërsa në vitin 2022 ai kishte larguar nga detyra Zëvendëskryeministrin Arben Ahmetaj, ndaj të cilit prej verës së shkuar ka një urdhër arresti ndërkombëtar./ VOA


Shtuar 28.07.2024 16:25