Oficeri Gardës së Republikës, Ylard Lala 24 vjeç, djali i Ymer (Korab) Lalës është arrestuar nga policia pasi është konstatuar se organizonte lojëra fati të paligjshme në lokalin që ai kishte nën administrim.
Mësohet se ky i fundit, është arrestuar pasi u kap në kushtet e flagrancës për veprat penale “Organizim i lotarive të pa lejuara”, “Vënia në dispozicion e ambienteve të organizimit i lojërave të fatit” dhe “Mbajtja dhe prodhimi pa leje i armëve të ftohta”.
“Me datë 24.07.2024, ora 08:00, Drejtoria e Hetimit e AMP-së në bashkëpunim me strukturat e Komisariatit të Policisë Nr.2, Tiranë, kreu arrestimin në flagrancë të punonjësit të Gardës së Republikës Inspektor Ylard Korab Lala, pasi u kap në kushtet e flagrancës në kryerje e sipër të veprave penale ‘Organizim i llotarive të pa lejuara’, ‘Vënia në dispozicion e ambjenteve të organizimit i lojërave të fatit’ dhe ‘Mbajtja dhe prodhimi pa leje i armëve të ftohta’, të parashikuara nga nenet 197, 198 dhe 279 të Kodit Penal”, thuhet në njoftimin e policisë.