Artan Hoxha për vrasjen e trefishtë në Memaliaj: Sa më shumë atentate i bëjnë për ta vrarë, aq më shumë mbijeton

Ngjarja e rëndë që ndodhi në Memaliaj, ku mbetën të vdekur tre persona pas një atentati në një lokal, është një ngjarja për të goditur Adriatik Kalemin, sipas asaj që zbulon gazetari Artan Hoxha.

I ftuar në “Top Talk”, Hoxha tregon atentatet e njëpasnjëshme që i janë bërë Kalemit dhe se ky atentat ishte gjëja më e kollajtë për ta goditur atë.

“Ngjarja e Memaliajt është thjesht guri kilometrik i radhës i një serie ngjarjesh që ka më shumë se 20 vite që ndodh. E kam parë mediat që e fillon ngjarjen nga atentatit me minë të telekomanduar të Sadikajt para dy vitesh, por historia është shumë më e gjatë. Nuk nis nga kjo gjë, nuk është kaq e shkurtër.

Kemi të bëjmë me një histori ngjarjesh, po të kujtoj 18 muajt e fundit. Unë qëkur kam filluar të merrem me gazetari, kam dëgjuar për Adriatik Kalemin. Nuk ka nevojë të hyj në “Google”. Kemi të bëjmë me personazhe me histori shumë të gjatë. Janë bërë atentate pafund. E quaj, në një lloj metafore, e quaj ‘John Wick’. Është një njeri që sa më shumë atentate i bëjnë për ta vrarë, aq më shumë mbijeton. Në Paksos atë e goditën me 12 predha dhe shpëtoi. Ai ishte në Paksos me pushime, me familjen e vet, autorët i shkuan me skaf nga Italia. E çuan në spital në Janinë. Sa u bë më mirë, policia e arrestoi. Në burg, në momentin që do dilte, i shkon një i burgosur egjiptian, i cili do dilte nga burgu dhe ai, shkon dhe ja fut disa herë me thikë, prapë shpëton, mbijeton. Autoritetet greke e fusin në territorin e Shqipërisë, kur është futur në Shqipëri, ai ka grumbulluar njerëzit e vetë.

Patjetër që për familjen Kalemi kjo është një ngjarje shumë e rëndë. Janë goditur babai dhe xhaxhai. Dy njerëzit më të moshuar që ata kanë. Dhe janë goditur në kafe, në mes të qytetit. Dhe ngjarjen e bën më të rëndë fakti që vriten njerëz të pafajshëm. Ata kanë qenë pas xhamit. Këto lloj ngjarjeje, me këtë lloj fryme, zakonisht unë e shoh në Greqi vitet e fundit. Vazhdimisht e them që vrasësit shqiptarë që vijnë nga Greqia janë shumë të ashpër.

Adriatik Kalemi i ka shpëtuar disa atentateve. Kanë prodhuar me thika, me kallashnikovë, me automatik, me armë zjarri, nuk e kanë vrarë dot. Prandaj ka ndodhur kjo ngjarje. Pasoja e kësaj ngjarje ishte që s’e gjetën dot Adriatik Kalemin. Tentuan të vrisnin vëllain e tij, dështuan. Atëherë kanë gjetur më kollaj, ata që nuk fshiheshin. Dihej që në Memaliaj nuk hyn dot, sepse është familja Kalemi. Prandaj goditja është bërë në zemër të qytetit, pra në lokalin ku fisi Kalemi rrinte aty. Dhe u është bërë aty për të thënë: ‘Dhe këtu e keni të pamundur të qëndroni’. Prandaj kanë vrarë dhe njerëz të pafajshëm”, u shpreh Hoxha. /Top Channel


Shtuar 23.07.2024 09:50