Sot, Bashkimi Evropian i bëri sërish thirrje Serbisë që të vendosë sanksione ndaj Rusisë për agresionin ndaj Ukrainës, pasi Beogradi priti zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Rusisë, Aleksandër Grushko.
“Bashkimi Evropian ka qenë kristal i qartë me partnerët tanë: marrëdhëniet me Rusinë nuk mund të jenë normale me luftën e paprovokuar dhe të pajustifikuar të agresionit të Rusisë kundër Ukrainës,” tha zëdhënësi i BE-së Peter Stano.
Ai shtoi se Këshilli i BE-së njeh ndihmën humanitare të Serbisë për Ukrainën, por gjithashtu pret që Serbia, si vend kandidat për anëtarësim në BE, të përafrohet me politikën e jashtme dhe të sigurisë evropiane.
Sakaq, Departamenti Amerikan i Shtetit deklaroi se Shtetet e Bashkuara “nuk besojnë se ndonjë vend duhet t’i ketë dhënë Rusisë një platformë për të promovuar luftën e saj të agresionit kundër Ukrainës”.
“Vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe e gjithë Evropa, kanë një interes të thellë në rezultatin e luftës ruse kundër Ukrainës, e cila kërcënon themelet e rendit dhe sigurisë ndërkombëtare. Kjo është arsyeja pse është thelbësore që ne të vazhdojmë të qëndrojmë së bashku përballë agresionit të Rusisë”, tha Departamenti i Shtetit.
SHBA vlerësoi mbështetjen që Serbia i ka dhënë Ukrainës deri më tani.