Vapa ekstreme godet Indinë, humbin jetën 11 persona

Si pasojë e kushteve ekstreme të motit që shkaktuan valë të forta të nxehtit, rrëshqitje dheu dhe përmbytje, të paktën 11 persona humbën jetën në Indi këtë javë, njoftuan autoritetet lokale.

Kryeqyteti New Delhi mbrëmë regjistroi natën më të nxehtë në gjashtë vjet ndërsa spitalet raportuan të paktën pesë të vdekur nga goditja e nxehtësisë, shkruan Times of India.

Autoritetet thanë se të paktën gjashtë persona u vranë dje në përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut të shkaktuara nga shirat e pandërprerë në shtetin verilindor të Assam.

“Një grua dhe tre vajzat e saj u varrosën të gjallë”, tha zyrtari shtetëror i menaxhimit të fatkeqësive, Siu Das, duke shtuar se një fëmijë tre vjeçar u vra gjithashtu.

Në të gjithë Azinë këtë verë janë regjistruar temperatura jashtëzakonisht të larta dhe shkencëtarët thonë se shkaku janë ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njerëzit dhe se situata do të përkeqësohet, raporton reuters.


Shtuar 19.06.2024 20:31

Tags: ,