Kanë dalë nga ambientet e gjykatës së shkallës së parë të Vlorës, dy të arrestuarit pas vrasjes së Eraldo Nevruzit në Dhërmi, të cilët ndihmuan Gerald Shehun për të fshehur ngjarjen.
Në dalje të furgonit të policisë, familjarë të Daniel Qoses dhe David Lartit të ardhur nga Korça, kanë pritur mes lotësh dhe përshëndetur nga jashtë djemtë që ndodheshin në makinën e policisë, për t’i çuar në paraburgim.
Ndërkohë avokatja e njërit prej të arrestuarve, Besa Begaj, shprehet se sot ishte seanca për njohje të masës së sigurisë, arrest në burg dhe gjykata të pranojë kërkesën e prokurorisë, çështjet e tjera i përkasin hetimeve të mëtejshme.
Daniel Qose 33-vjeç dhe David Lart 30-vjeç, të cilët ndihmuan për të fshehur provat për vrasjen e 31-vjeçarit Eraldo Nevruzi janë lënë në burg.
Ata eliminuan sendet personale, rrobat, dhe çdo gjë tjetër që do ishte provë, duke i djegur në furrën e picave.
31-vjeçari Eraldo Nevruzi u ekzekutua nga dhëndri i pronarit Gerald Shehu 43 vjeç në Hotel Greccia në Dhërmi.
Të dy autorët kanë shprehur pendesë për veprimin që kanë bërë, duke thënë se kanë qenë nën kërcënimin e armës.