Alioski sqaron incidentin me Arnautoviç: Nuk e dëgjova çfarë më tha, por erdhi më kërkoi ndjesë

Maqedonia e Veriut debutoi me humbje 3-1 ndaj Austrisë në Kampionatin Europian, teksa episodi më i shëmtuar i ndeshjes ishte kur sulmuesi austriak Arnautoviç shpërtheu në të shara ndaj Ezgjan Alioskit.

Vetë futbollisti shqiptar dha një intervistë për Digitalb, ku sqaroi incidentin me sulmuesin austriak dhe konfirmoi besimin se Maqedonia e Veriut mund t’ia dalë të kalojë fazën e grupeve të Europianit.

Çfarë mund të bënit më mirë në ndeshjen e për të Europianit?

Ishte shumë bukur dhe emocion shumë i madh kur zbritëm në stadium. E prisnim më ndryshe, pasi donim të merrnim të paktën një pikë, por në fund e humbëm lojën. Jemi të mërzitur për këtu, por kemi ndeshje të tjera dhe duhet të shohim përpara. Kemi qenë të emocionuar, pasi ishte përvoja jonë e parë në një kompeticion të këtillë.

Çfarë ndodhi me Arnautoviç, pasi ti mund ta sqarosh më mirë se kushdo?

Në ndeshje të tilla është normale që lojtarët të përjetojnë tension dhe të dalin nga kontrolli, por më e bukura është kur në fund sqarohet gjithçka dhe pajtohesh. Unë me Arnautoviç folëm pas ndeshjes dhe u sqaruam, pasi më kërkoi ndjesë dhe erdhi edhe në dhomën tonë e më dha dorën, duke u treguar shumë fair. Nuk e kam dëgjuar çfarë ka thënë, pasi po festonin tifozët, por folëm në gjermanisht pas ndeshjes dhe u pajtuam pas ndeshjes. Është diçka që ndodh, pasi në ndeshje të kapin emocionet në ndeshje, por më e mira është kur sqarohet gjithçka.

A mund të bëjë më shumë Alioski në fushë?

Në çdo ndeshje që luaj, unë dua të bëj më mirë se takimi paraardhës. Nuk kam qenë në maksimumin tim dhe mund të bëj më mirë, por në tërësi bëmë një ndeshje të mirë. U mbajtëm mirë për 75 minuta dhe do ishte mirë të merrnim një barazim, megjithatë kemi ndeshje sërish dhe duhet të ndryshojmë menjëherë.

Keni besim që mund të kaloni grupet si një nga 4 të tretat më të mira?

Unë kurrë nuk e humb besimin dhe shpresoj që edhe ekipi të vijojë të besojë, pasi kjo është kryesore në një garë. Me Ukrainën duhet të shkojmë me besim për të fituar dhe jam i sigurt që mund të bëjmë mirë, siç kemi bërë edhe ndaj Gjermanisë, apo Austrisë për 75 minuta. Shpresoj marrim 3 pikë ndaj Ukrainës, që të luajmë një finale ndaj Holandës.


Shtuar 15.06.2021 11:07

Tags: ,