Manchester City ia cakton çmimin Cancelos, disa klube në garë për të

Manchester City e ka njoftuar Barcelonën për çmimin që duhet të paguajë, për të siguruar shërbimet e mbrojtësit portugez, Joao Cancelo.

Sipas mediumit katalunas “Sport”, Manchester City kërkon 40 milionë euro për Joao Cancelon këtë verë, përcjellë “Gazeta Express”.

Megjithatë, me problemet financiare të Barcelonës, kjo marrëveshje rrezikon të arrihet.

Pavarësisht kësaj, bisedimet po vazhdojnë ende, derisa të arrihet një zgjidhje mes të dy palëve.

Me ndërmjetësimin e agjentit, Jorge Mendes, tashmë kanë mbetur vetëm dy mundësi për këtë transferim: një lëvizje permanente këtë muaj ose një vit huazim me të drejtë blerje në vitin 2025.

Dëshira e Joao Cancelos është që të vazhdojë te Barcelona, andaj agjenti i tij po mundohet të gjejë një marrëveshje që i kënaqë të dy klubet e përfshira.

Paraqitjet e Cancelos me fanellën e Barcelonës kanë tërhequr vëmendjen e shumë klubeve në Evropë, me Arsenal, Bayern Munchen, Chelsea e disa klube nga Arabia Saudite që kanë shprehur interesim për shërbimet e tij.

“Cityzens” janë të gatshëm të pranojnë ofertën më të lartë, mirëpo është një problem, pasi Cancelo po e dëshiron vetëm Barcelonën.

“Blaugranët” po punojnë vazhdimisht të përmirësojnë situatën financiare, dhe dëshirojnë që të arrijnë transferimin e Cancelos pas përfundimit të kampionatit evropian “Gjermania 2024”. /GazetaExpress/


Shtuar 4.06.2024 19:23