Fabris Muamba, Lionelo Manfredonia, Xhankarlo Antonjoni, David Zhinola, janë ata që ia dolën.
Muamba dhe Manfredonia nuk luajtën më, por janë gjallë. Edhe kjo është ajo që ka rëndësi.
Muamba ishte ndoshta rasti më i bujshëm. Mesfushori i Boltonit, i cili pak minuta pas rënies së Eriksenit në fushë, postoi në “Twitter” një mesazh lutjeje, pësoi një arrest kardiak në 17 mars 2012, në një ndeshje kundër Totenhemit. Kongolezi ishte 23 vjeç atëherë.
INFARKTI I MUAMBASË – Atë të shtunë, më 17 mars, ndodhi një infarkt në fund të pjesës së parë. Stafet mjekësore të të dyja skuadrave vrapuan në fushë dhe ishte vendimtare ndërhyrja e tyre. Por, vendimtare ishte edhe ndihma e parë që dha një mjek, tifoz i Totenhemit, prezent në stadium: Endrju Diner.
Muamba kaloi 78 minuta pa vetëdije. Pas disa shkarkimeve me defribilator, ai u nis me ambulancë drejt spitalit të zemrës në Londër dhe vetëm në ambulancë organi jetësor i tij rinisi të rrahë. Pas një ndërhyrjeje kirurgjikale iu vendos një stimulues kardiak më 16 prill. Më 15 gusht, 2012, mesfushori i Boltonit njoftoi tërheqjen nga futbolli. Sot ai bën opinionistin sportiv.
MANFREDONIA – Lionelo Manfredonia u shemb në fushë në minutën e 5-të të Bolonja-Roma 30 dhjetor 1989. Një ndër të parët që ndërhyri ishte, ish-shoku i skuadrës në kohën e Lacios, Bruno Xhordano. Ndërhyrja e masazhatorit të Romës, Xhorxho Rosi, ishte vendimtare. Shmangu më të keqen, duke i hapur gojën me ndihmën e gërshërës për të evituar kapërcimin e gjuhës që mund ta mbyste. Masazhi kardiak i doktor Aliçiços, defribilatori në ambulancë dhe transporti në spital në vetëm 7 minuta, ishin elementët e tjerë përcaktues. Pas 48 orësh, Manfredonia u rizgjua nga koma. U përfol për infarkt, por asnjëherë nuk u sqarua. Ai donte të rikthehej në fushë, por Instituti i Shkencës Sportive e quajti të paaftë dhe në pranverën e 1990-ës karriera e 33-vjeçarit përfundoi.
ANTONJONI – Xhankarlo Antonjoni rrezikoi jetën pas një përplasjeje me portierin kundërshtar Silvano Martina. Ishte 22 nëntor 1981 në ndeshjen Fiorentina-Xhenoa. Kampioni mori një goditje me gju në kokë, duke pësuar një frakturë dhe ndërprerjen e përkohshme të rrahjes së zemrës. Mjekët i bënë frymëmarrje artificiale dhe zemra rinisi të rrahë. Operacioni i përfunduar me sukses i lejoi kampionit të Fiorentinës që të rikthehej të luante.
ZHINOLA – Mes të mbijetuarve është edhe David Zhinola, ish-ylli i PSG-së, Njukasëllit dhe Aston Vilës, sot 54 vjeç. Në maj 2016 u godit nga një arrest kardiak në një ndeshje bamirësie të legjendave. Zemra i ndali për 8 minuta. Shpëtoi falë ndërhyrjes së një miku që i bëri frymëmarrje artificiale derisa zemra rinisi të punojë.