Meta kthen ligjin për sektorin minerar: Jo transparent dhe antikushtetues

Presidenti Ilir Meta ka kthyer në Kuvend ligjin “Për sektorin minerar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, për rishqyrtim sipas arsyetimit bashkëlidhur këtij dekreti.

Në arsyetim , thuhet se, “nga shqyrtimi i ligjit nr.65/2021, konstaton se, ndryshimet në ligjin nr. 10 304, datë 15.7.2010, janë miratuar përmes një procedure në mungesë të transparencës e konsultimit gjithëpërfshirës dhe këto ndryshime shkelin një sërë parimesh kushtetuese të shtetit të së drejtës, të drejta dhe liri themelore të mbrojtura nga Kushtetuta, duke rënë ndesh kështu me nenet 4, 11, 13, 56, 59, 82, 111, të saj.

Përmes paqartësisë së ligjit nr. 65/2021, krijohen mekanizma nëpërmjet të cilave shtetit i jepet mundësia që të ndërhyjë në mënyrë disproprocionale dhe përmes një procesi të parregullt ligjor, për të ndërprerë gëzimin e të drejtave legjitime pronësore, dhe kjo, jo për një interes publik ligjërisht të justifikuar, por për favorizimin e subjekteve të tjera privatë aktiviteti i të cilëve nuk përmbush ato elementë të domosdoshëm që do mund ta konsideronin ndërhyrjen e justifikuar.

Në këtë mënyrë, nga njëra anë të drejtat legjitime mund të cenohen padrejtësisht, ndërkohë që nga ana tjetër mund të krijohen efekte negative dhe kosto të panevojshme për buxhetin e shtetit, si rezultat i dëmshpërblimeve administrative apo gjyqësore që mund të prodhojë një ndërhyrje e padrejtë, jo proporcionale dhe e pamenduar objektivisht nga strukturat shtetërore.

Për më tepër, parashikimet e bëra në disa dispozita të ligjit nr. 65/2021, shtojnë rrezikun e që të drejtat e pronësisë private t’i nënshtrohen një regjimi shpronësimi, sipas vlerësimit dhe procedurave aspak transparente, deri antikushtetuese, duke mos siguruar zgjidhjen reale për problematikat e paraqitura nga ekzekutivi.

Nga përmbajtja e dispozitave të ligjit duket qartë se, qëllimi i vetëm për të cilin është kujdesur propozuesi i nismës (Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Këshilli i Ministrave) dhe miratuesi i këtyre ndryshimeve (Kuvendi i Shqipërisë) ka qënë ai i krijimit të favorizimeve ligjore për subjekte private, që operojnë në sektorin minerar, pa vlerësuar si duhet dhe në mënyrë proporcionale të drejta të ligjshme të pronësisë që mund të cenohen.

Ndryshimet ligjore të propozuara me ligjin nr. 65/2021, shkelin dhe cenojnë disa parime kushtetuese si: parimin e sigurisë juridike; iniciativës dhe lirisë së veprimtarisë ekonomike; parimin e decentralizimit të pushtetit vendor, proporcionalitetit,  barazinë para ligjit, duke vendosur në rrezik të hapur interesin publik dhe keqpërdorimin e pasurisë kombëtare”./albeu.com