Dosjet e “nxehta”, Çela: Hetimet nisin kur policia mund të na çojë në zbulimin e autorit

Gjatë prezatimit të raportit në Kuvend, Olsian Çela është pyetur  nga Adriatik Alimadhi se ku do të rihapen dosjet e ashtuquajtura “të nxehta”, përfshirë atë të Enver Stafuka-s dhe të bankierit Artan Santo.

Çela tha se nuk mund të flasë për çështje konkrete, por tha se hetimi për zbulimin e autorëve bëhet në bashkëveprim me Policinë e Shtetit.

“Për shkak të kompetencës që ka prokurori, mënyrën si ndërvepron ajo me Policinë e Shtetit, në momentin e pezullimit të një dosje, është në kompetencën e prokurorisë të kryejë veprime në drejtim të zbulimit të autorëve. Prokuroria hyn në këtë fazë, në momentin që Policia e Shtetit paraqet fakte, që ka indicie që mund të çojnë në zbulimin e autorëve. Ju folët për çështje konkrete, por unë nuk mund të flas për çështje konkrete. Por duhet ta pranojmë që stoku i dosjeve të pezulluara është i lartë. Patjetër që ka nevojë për rivlerësim të situatës nga Policia e Shtetit, ne do i japim gjithë mbështetjen e nevojshme për të çuar në zbulimin e ngjarjeve kriminale. Dërgohet dosja e pezulluar për zbulim të autorit. Policia ka veprimtari zbuluese. Në momentin që ka elementë të vlefshëm që mund të çojnë në zbulim të autorit, prokuroria kryen ato hetime procedurale, që janë të pamundura të kryhen nga policia”, tha Çela./albeu.com


Shtuar 14.06.2021 11:30