Kreta “pushtohet” nga pluhuri i Saharasë

Kreta është “pushtuar” nga pluhuri afrikan. Drejtoria e Shëndetit Publik të Qarkut të Kretës u ka bërë të ditura qytetarëve masat që duhet marrin për t’u përballur me pluhurin e Saharasë.

Mediat në vend raportojnë se përqendrimet e regjistruara deri më tani të grimcave në ajër janë shtuar.

Universiteti i Kretës dhe Universiteti Teknik i Kretës informojnë se sipas modeleve parashikuese “përqendrimet mesatare ditore të PM10 për ditën e sotme të shtunën dhe të dielën 19.05.2024 do të luhaten në nivele mesatare. (51- 75 µg/m3) për shkak të fenomenit intensiv të transportit të pluhurit nga Saharaja.”

Për këtë arsye, të rriturve me probleme me frymëmarrjen, atyre me sëmundje të zemrës dhe fëmijëve me probleme me frymëmarrjen, u rekomandohet që të kufizojnë çdo ushtrim fizik intensiv, veçanërisht nëse bëhet jashtë.

Po ashtu, qytetarëve u është rekomanduar që të mbajnë maskat me mbrojtje të lartë FFP2, N95 & KN95, duke qenë se ato mund të mbrojnë qytetarët që janë aktivë në natyrë. Përveç kësaj, rekomandohet po ashtu marrja e masave për të përmirësuar cilësinë e ajrit të brendshëm.


Shtuar 18.05.2024 19:38