Mbreti Charles III ka përdorur të ardhurat e tij personale për të paguar 1.5 milionë paund në emër të vëllait të tij, Andrew Mountbatten-Windsor, si detyrim për dëmtimet dhe gjendjen e amortizuar të rezidencës Royal Lodge në Windsor.
Të lidhura
None found
Shuma i është transferuar Crown Estate, institucionit përgjegjës për administrimin e pronës, pas përfundimit të marrëveshjes së qirasë së ish-princit.
BBC raporton se detyrimi fillestar përllogaritej në 1.8 milionë paund. Nga kjo shumë u zbritën rreth 300 mijë paund, që Andrew do t’i merrte si kompensim për mbylljen e parakohshme të kontratës, duke e çuar pagesën përfundimtare në 1.5 milionë paund.
Crown Estate konfirmoi përfundimin e kontratës së qirasë për Royal Lodge dhe marrjen e shumës neto të papaguar. Sipas raportimeve, ndërhyrja financiare e mbretit synon të parandalojë një humbje për institucionin.
Andrew u largua nga rezidenca në shkurt, në një periudhë kur polemikat për lidhjet e tij me Jeffrey Epstein, i dënuar për vepra seksuale, u intensifikuan. Ai ka mohuar në mënyrë të vazhdueshme çdo shkelje në lidhje me këtë çështje. Pas largimit nga Royal Lodge, ai u vendos në Sandringham, ku Mbreti ka siguruar privatisht strehimin dhe shpenzimet e mirëmbajtjes.
Po në shkurt, Andrew u arrestua nën dyshimin për sjellje të keqe në detyrën publike. Ndërkohë, një vendim gjykate i dhënë të enjten vuri në diskutim disa elemente të urdhrave të kontrollit të përdorur nga policia, sipas BBC-së. Ky proces është i veçuar nga marrëveshja financiare për Royal Lodge.
Qiraja 75-vjeçare e rezidencës u nënshkrua në vitin 2003. Në kuadër të marrëveshjes, Andrew pagoi paraprakisht rreth 7.5 milionë paundë për riparimet, çka e përjashtoi nga detyrimi për pagesa mujore të qirasë. Kontrata parashikonte gjithashtu kompensim nëse ajo ndërpritej gjatë 25 viteve të para.






