Trajneri i Borussia Dortmund, Edin Terzic, ka bërë të ditur se sulmuesi Sebastien Haller do të mungojë në ndeshjen e dytë çerekfinale të Champions League këtë të martë kundër Atletico Madrid, ndërsa anësori Jadon Sancho do të rikthehet në skuadër.
Dortmundi, i cili pësoi një humbje 2-1 në ndeshjen e parë në Madrid, do të zbresë në fushë për të përballuar sfidën e vështirë pa kontributin e Haller, i cili, sipas trajnerit gjermano-kroat, do të duhet të pushojë për një periudhë prej dy deri në tri javë për të marrë një diagnozë më të qartë për lëndimin e tij.
Megjithatë, Terzic ka sjellë një lajm të mirë për tifozët e Dortmund, duke konfirmuar rikthimin e Jadon Sancho.
“Jadon është sërish në formë. Ai u ndje menjëherë më mirë të dielën dhe mund të stërvitej dje. Ai është kthyer në skuadër”, ka thënë Terzic.