Rama “lë në baltë” Kosovën: Padia për gjenocid nuk sjell rezultat!

Kryeministri Edi Rama në një intervistë të dhënë për mediat serbe është shprehur se  do të ishte mirë që shqiptarët dhe serbët mund të imitonin francezët dhe gjermanët pas Luftës së Dytë Botërore.

Rama në fjalën e tij për Euronews Serbia ka theksuar se është e domosdoshme zgjidhja e çështjes mes Serbisë dhe Kosovës, pasi do të ndihmojë në zhbllokimin e potencialit që ekziston në marrëdhëniet midis Serbisë dhe Shqipërisë.

Ndër të tjera ai beson se Shqipëria dhe Serbia do të përdorin gjitha mundësitë dhe thotë se BE nuk mund të na tregojë se çfarë mund të bëjmë dhe çfarë nuk mund të bëjmë.

Kryeministri shqiptar foli gjithashtu nëse Shqipëria do ta ndihmojë Kosovën të ngrejë një proces gjenocid kundër Serbisë dhe cilat janë marrëdhëniet midis Serbisë dhe Shqipërisë.

Duke nënvizuar se megjithatë vendimi përfundimtar i takon klasës politike në Prishtinë dhe jo Tiranës zyrtare, Rama u shpreh se kjo do të ishte jo një iniciative që do të sillte rezultate.

“Së pari, kjo është një çështje shumë e komplikuar në aspektin e përmbajtjes ligjore. Së dyti, unë mendoj dhe e kam thënë publikisht, në bisedime dhe po jua them edhe juve, ne duhet të fokusohemi tek zgjidhja e këtij konflikti dhe tek e ardhmja. Dhe ne duhet të mendojmë më shumë se sa vite mund të vazhdojmë të humbim duke mos zgjidhur këtë konflikt. Nuk ka fitues pa zgjidhje. Gjenocid është një fjalë shumë mirë e përkufizuar në arkitekturën juridike të njerëzimit dhe mendoj se do të ishte jo një iniciative që do të sillte rezultate, që do të ndihmonte paqen dhe bashkëpunimin, por është një vendim i pavarur i tyre dhe jo i imi apo i shqiptarëve”, ka thënë Rama.

 

 


Shtuar 11.06.2021 10:07