Qeveria e Zvicrës ka thënë të mërkurën se do të jetë nikoqire e një konference ndërkombëtare të nivelit të lartë në muajin qershor për të ndihmuar në krijimin e një rruge drejt paqes në Ukrainë, pas më shumë se dy vjetëve të luftës që zhvillohet atje, dhe me shpresën që Rusia do të mund t’i bashkohet një ditë procesit të paqes.
Resorti Bürgenstock pritet të jetë vendi ku do të mbahet konferenca më 15-16 qershor. Në të pritet të marrin pjesë zyrtarë qeveritarë prej dhjetëra shteteve, pas prezantimit të planeve nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky dhe ministri i Jashtëm zvicrean, Ignazio Cassis.
E përditshmja zvicerane Neue Zurcher Zeitung ka raportuar të mërkurën se presidenti amerikan, Joe Biden pritet të marrë pjesë në samitin e shtatë vendeve më të industrializuara (G7) në Italinë fqinje më 13-15 qershor dhe ka mundësi që të marrë pjesë edhe në këtë konferencë.
Qeveria zvicerane ka thënë se në bisedimet për organizim të konferencës kanë marrë pjesë zyrtarë të Bashkimit Evropian dhe të dërguar të Brazilit, Kinës, Etiopisë, Indisë, Arabisë Saudite dhe Afrikës së Jugut.
“Në takimin e sotëm, Këshilli Federal ka diskutuar për datën dhe hapat e radhës. Aktualisht ekziston mbështetje e nevojshme ndërkombëtare për lansim të një konference ndërkombëtare të nivelit të lartë për procesin e paqes”, ka thënë Qeveria federale në Bern, përmes një deklarate.
Në deklaratë është thënë se marrë parasysh traditën e vjetër diplomatike, Zvicra konsideron se ka përgjegjësi për të kontribuuar në procesin e paqes në Ukrainë.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022. Presidenti rus Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL