Kurti: Ushtria serbe pranë kufirit të Kosovës, Vuçiç na kërcënoi, kërkojnë të provokojnë (VIDEO)

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka publikuar në “Facebook”, një video përmes së cilës pretendon se ushtarët serbë ndodhen në kufi me Veriun e Serbisë, konkretisht në afërsi të fshatit Banje të Zubin Potokut.

Ai thotë se njësi të specializuara të ushtrisë serbe, janë parë disa metra larg kufirit të Kosovës.

“Ditë më parë, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, kërcënoi publikisht Kosovën, duke thënë se “Serbia do të presë momentin më të mirë të mundshëm dhe do ta shfrytëzoj mundësinë për të vepruar”. Sot gjatë ditës, njësi të specializuara të ushtrisë së Serbisë janë vërejtur vetëm disa metra larg kufirit me Kosovën, në afërsi të fshatit Banje të Zubin Potokut. Lëvizje të ngjashme janë regjistruar edhe në fshatin Oslare të Bujanovcit, në afërsi të kufirit me Kosovën”, shkruan Kurti.

Kurti thotë se Forcat e Armatosura të Serbisë, po kryejnë stërvitje të rregullta në kufi me veriun e Kosovës, sipas tij me qëllimin e vetëm për të shkaktuar provokime.

Më tej, kreu i qeverisë së Kosovës, shton se po i vëzhgojnë ushtarët serbë nëse do përpiqen të kalojnë kufirin.

“Jemi të vetëdijshëm se Forcat e Armatosura të Serbisë janë duke realizuar stërvitjet e rregullta dhe ato janë duke i përdorur si pretekst për të shkaktuar provokime të qëllimshme në afërsi të kufirit me Kosovën. Jemi duke vëzhguar me kujdes se a do të përpiqen ta kalojnë kufirin, gjersa edhe ky afrim i automjeteve të tyre ushtarake nuk është normal”, shkruan Kurti.


Shtuar 22.03.2024 08:00