Zbatimi i vendimit për Manastirin e Deçanit, shtetet e QUINT-it reagojnë pas kërkesës së qeverisë së Kosovës

Shtetet e QUINT-it kanë mirëpritur vendimin e Qeverisë së Kosovës, e cila i ka kërkuar Agjencisë Kadastrale të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të vitit 2016 për pronën e Manastirit të Deçanit.

Sipas QUINT-it, kërkesa ndaj kësaj agjencie që të regjistrojë 24 hektarët tokë në emër të Manastirit të Deçanit “paraqet hap të rëndësishëm përpara të autoriteteve kosovare në përputhje me aspiratat evropiane dhe euroatlantike”.

“Siç kemi deklaruar në maj të vitit të kaluar në përvjetorin e vendimit të Gjykata Kushtetuese, zbatimi i sundimit të ligjit dhe respektimi i pavarësisë së gjyqësorit janë obligime të të gjitha qeverive të zgjedhura në mënyrë demokratike dhe parakushte të domosdoshme për integrimin e Kosovës në institucionet evropiane dhe euroatlantike”, u tha në deklaratën e QUINT-it dhe Bashkimit Evropian.

Në QUINT bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara, Franca, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar dhe Italia.

Më 13 mars, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi se i ka kërkuar Agjencisë Kadastrale që të transferojë 24 hektarë tokë në emër të Manastirit të Deçanit. Ai tha se zbatimi i vendimit të Kushtetueses do të ishte vendimtar për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, gjatë Asamblesë Parlamentare të këtij institucioni, që do të mbahet në prill.

Megjithatë, Kurti sërish shprehu qëndrimin e tij se nuk i pëlqen vendimi i Gjykatës Kushtetuese, duke e cilësuar “të çuditshëm” he të padrejtë”, por theksoi se nuk ka mjete ligjore e juridike për të anuluar vendimin e kësaj gjykate.

Vendimi i Kurtit është kritikuar nga zyrtarët lokalë në Deçan dhe një shoqatë e historianëve në këtë komunë, që e kanë cilësuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese si të padrejtë.

QUINT për një kohë të gjatë i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës që të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me 24 hektarët tokë të Manastirit të Deçanit.

Më herët, këtë muaj, Radio Evropa e Lirë ka raportuar se Qeveria e Kosovës priste që pushteti lokal në Deçan – komunë në pjesën perëndimore të vendit – ta zbatonte vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa Komuna e Deçanit, e cila gjatë gjithë këtyre viteve e kundërshtoi zbatimin e këtij vendimi, ka thënë se nuk ka ndryshuar qëndrim.

Kjo komunë udhëhiqet nga zyrtarë të partisë opozitare të Ramush Haradinajt, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës./REL


Shtuar 14.03.2024 22:33