Jamal Musiala refuzon rinovimin me Bayernin, alarmohen gjigantët europianë

Dy gjigantët e Premier Ligës, Liverpooli dhe Manchester City janë alarmuar pasi Jamal Musiala ka refuzuar të nënshkruaj një kontratë të re me Bayern Munichun.

“Qytetarët” dhe “Të Kuqtë” kanë qenë për një kohë të gjatë admirues të reprezentuesit gjerman dhe madje kanë dërguar skautë për të përcjellur atë nga afër.

Tani siç raporton Daily Star, bavarezët i kanë ofruar Musialas një kontratë të re sipas së cilës ai do të përfitonte 150 mijë euro në javë nga sezoni i ardhshëm, por besohet se lojtari e ka refuzuar mundësinë për të nënshkruar një kontratë të re.

Kampioni në fuqi i Evropës dhe Anglisë është i vendosur për të arritur një marrëveshje për mesfushorin gjerman, por ata do të ballafaqohen me një konkurrencë të ashpër nga Liverpooli.

Përveç këtyre dy ekipeve, interesim për shërbimet e Musialas më herët kishte paraqitur edhe Chelsea.

Në fakt Musiala është një produkt i akademisë së Chelseat ndërsa këtë sezon është paraqitur me shifra të mira për Bayernin, duke shënuar nëntë gola në 28 paraqitje si dhe duke dhuruar katër asistime.

Musiala do të rikthehet përsëri në aksion të martën, aty ku Bayerni do të synojë që të përmbysë rezultatin e ndeshjes së parë ndaj Lazios në kuadër të fazës së 1/8 së finales në Ligën e Kampionëve. /Telegrafi/


Shtuar 3.03.2024 14:08