Zëvendëskryeministrja njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku nënshkroi në Londër me presidenten e BERZH, Odile Renaud-Basso marrëveshjen e huasë për ndërtimin e linjës hekurudhore Vorë-Hani i Hotit.
Balluku ndau në rrjetet sociale momente nga nënshkrimi i kësaj marrëveshje, duke e cilësuar linjën hekurudhore Vorë-Hani i Hotit një projekt të rëndësishëm për Shqipërinë dhe rajonin.
Sipas Ballukut, kjo linjë hekurudhore do të rrisë komunikimin mes vendeve.
“Me Presidenten e BERZH Odile Renaud-Basso nënshkruam marrëveshjen e huasë për ndërtimin e linjës hekurudhore Vorë-Hani i Hotit. Një projekt i rëndësishëm për ne dhe rajonin, i cili do të rrisë komunikimin mes vendeve, duke nxitur e lehtësuar lëvizjen e qytetarëve”, theksoi Balluku.
Linja hekurudhore Vorë – Hani i Hotit ka një gjatësi prej rreth 120 km dhe përshkon Ultësirën Perëndimore të Shqipërisë, me drejtim nga jugu në veri. Ajo lidh qytetet e Vorës, Mamurrasit, Laçit, Milotit, Lezhës, Shkodrës dhe Koplikut, ndërsa kalon kufirin shtetëror Shqipëri/Mal i Zi në Hanin e Hotit..