Netanyahu: Fitorja totale është në duart tona, jo muaj larg, por javë larg

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu është shprehur se sulmi i planifikuar në Rafah në pjesën jugore të Rripit të Gazës do ta sjellë Izraelin brenda disa javësh nga fitoren totale.

“Fitorja totale është në duart tona, jo muaj larg, por javë larg, kur të fillojmë operacionin”, tha kryeministri izraelit në një intervistë për rrjetin amerikan CBS.

Për Netanyahun, Rafah është bastioni i fundit i Hamasit ndërkohë që thotë se është i vendosur, pavarësisht protestave ndërkombëtare, të nisë një ofensivë tokësore për të mposhtur forcat e Hamasit dhe për të liruar pengjet.

“Nëse kemi një marrëveshje armëpushimi, operacioni do të vonohet disi, por do të bëhet”, tha ai.

Kryeministri izraelit tha se do të takohet sot me zyrtarë ushtarakë izraelitë të cilët do t’i paraqesin atij këtë plan të dyfishtë, një plan për të pastruar Rafah nga civilët dhe një plan për të neutralizuar atë që ai e sheh si forcat e mbetura të Hamasit.

Sipas informacioneve të gazetarëve të AFP-së, të paktën gjashtë sulme ajrore u zhvilluan sonte në Rafah. Duke iu referuar negociatave për një marrëveshje armëpushimi në Gaza në këmbim të lirimit të pengjeve, Netanyahu tha do të arrijnë përparimin që të gjithë kërkojnë nëse Hamasi tërhiqet nga kërkesat e tij absurde dhe i kthen ato brenda një kuadri të arsyeshëm.


Shtuar 25.02.2024 21:32